Aktualitet

PD propozon ndryshime në rregullore e Kuvendit, deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur SkyECC dhe EncroChat

Sipas të dhënave rreth 16 mijë përdorues të këtyre dy aplikacioneve janë shqiptarë.

I.F
PD propozon ndryshime në rregullore e Kuvendit, deputetët të
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit, ku ka kërkuar që çdo deputet të deklarojë nëse ka përdorur aplikacionin “SKY ECC” dhe “Encrochat”. Sipas shkresës së depozituar në Kuvend, pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se gjuha shqipe është e dyta më e përdorur në aplikacinet “SKY ECC” dhe “Encrochat”. Sipas të dhënave rreth 16 mijë përdorues të këtyre dy aplikacioneve janë shqiptarë.

Në propozimin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit, thuhet se nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme.

Hetimet kanë zbuluar se përdorues të këtyre aplikacioneve nuk kanë qenë vetëm anëtarë të grupeve kriminale, me shtrirje ndërkombëtare, por edhe funksionarë të lartë publik shqiptar, duke përfshirë funksionarë të Policisë, organeve të drejtësisë, pushtetit vendor dhe qendror.

“Hetimet kanë zbardhur komunikimet e një deputeti të Partisë Socialiste me grupe dhe eksponentë të krimit të organizuar. Nga të dhënat e përftuara nga këto komunikime ka rezultuar se eksponentë të krimit të organizuar kanë ndërhyrë në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste për të përcaktuar pozicionin e këtij deputeti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste dhe për të siguruar vota në bashkitë Durrës dhe Shijak, me qëllim zgjedhjen e tij. Deputeti nga ana e tij ka siguruar të dhëna sekrete dhe ka ndërhyrë në organet e drejtësisë me qëllim favorizimin dhe moskapjen e eksponentëve të krimit të organizuar. Këto dyshime ngrenë pikëpyetje mbi integritetin, etikën dhe besueshmërinë jo vetëm të deputetëve, por edhe të vetë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka për funksion themelor të sigurojë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve dhe një proces ligjbërës të udhëhequr nga interesi publik. Ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë. Në propozim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, jep edhe modelin e formularit të vetëdeklarimit që deputetët duhet të plotësojnë ndërsa theksohet se çdo refuzim apo e dhënë e rremë përbën vepër penal sipas nenit 190 te kodit penal”, thuhet në kërkesën e depozituar. /ZËRI

Poll

MOS HUMB