
TIRANË- Ervis Martinaj ishte i vendosur për të hequr qafë Indrit Doklen. Të paktën kështu pretendon Nuredin Dumani, të cilit i është zbuluar edhe biseda e tij në aplikacionin "Sky", me Martinajn. Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se gjatë bisedës Martinaj i kishte lënë 'dorë të lirë' Dumanit për caktimin e çmimit, madje këtë e ka konfirmuar edhe ai vetë gjatë rrëfimit që ka bërë para agjentëve të SPAK. Kështu që në "çekun e tij të bardhë", Dumani i ka kërkuar biznesmenit të lojrave të fatit, 1 milion euro. Por kjo ofertë nuk është pranuar.
OFERTA
Sipas Dumanit, 1 mln euro, Martinajt i është dukur relaltivisht shumë dhe pas diskutimeve të bëra, "pazari" ka rënë në 500 mijë euro. Në kontratën e vdekjes, njëherë do të jepej kapari prej 100 mijë eurosh, e më pas pjesa tjetër. Gjithçka dukej gati dhe Rrahim Dumani kishte marrë paratë për t'ja dërguar në Kosovë, atje ku fshihej edhe vrasësi me pagesë.
"Kapari do shërbente për të ngrohur çunat, të cilët do aktivizoheshin për të survejuar dhe vrarë Doklen,"-tregonte Dumani. Por nuk ishin vetëm "çunat" e tij që do të bënin punën, pasi edhe Martinaj kishte rënë dakord që ta ndihmonte me informacione lidhur me lëvizjet e Dokles. Por jo vetëm kaq! Duke qenë se Dumani ishte në kërkim nga Policia e Shtetit, Martinaj do ta ndihmonte edhe me informacione mbi lëvizjet e Policisë së Shtetit, RENEA dhe strukturat e hetimit, që të mos arrestohej. Të paktën, jo pa e kryer misionin.
Madje në një rast Dumani tregon se Visi i kishte nisur në “SKY” një dokument të SHISH me “Screen Shot”, që fliste për vendodhjen e tij dhe organizimin që po kryhej për arrestimin e tij nga Policia.
“…ai informacionet i merrte nga institucione të ndryshme si RENEA, Operacionale, SHISH etj. Informacioni i fundit që më përcolli sipas tij ishte informacion i SHISH dhe bënte fjalë që ishin shumë afër arrestimit tim…”-ka deklaruar Nuredin Dumani.
DRONI
Një tjetër provë që provon implikimin e Ervis Martinaj, Elvin Merlikaj dhe personave të tjerë në sigurimin e kushteve për të vrarë, Indrit Doklen, është dhe një..DRON. Mjeti është sekuestruar në ambientet e kompleksit “Arbëria”, e pasi është marrë, është filmuar rreth-rrotullimi i TEG-ut dhe zona pranë kompleksit ku banon familja e Indrit Dokles. Ky informacion në fakt mbështet dhe në pohimin e Henrik Hoxhaj për mbikqyrjen e Indrit Dokles tek kompleksi “Rolling Hills” në afërsi të TEG-t.
Ndërkohë që puna kishte nisur, Dumani ishte tërhequr nga vrasja, por nuk e kishte lajmëruar Martinajn. Madje kontaktoi me Elvin Mërlikajn.
BISEDA E ZBARDHUR:
“…me Elin komunikova në “Sky Chat”. I pyeta a duan ta godasin Doklen. Ata më thamë që sigurisht që ishin të interesuar. Unë ju thashë se isha gati dhe kam njeriun që ma nxjer në pritë Indrit Doklen. Në të vërtetë unë nuk kisha bërë asgjë por doja thjesht të merrja lekët."
Ai më tha: “…Vazhdo jepi drejtim…".
Unë i thashë:”…që t’i jap drejtim duhen ngrohur pak çunat dhe nuk kisha lekë…”.Pastaj filluam të bëjmë pazar, ku unë fillimisht i kërkova shumën prej 1.000.000 Euro. Ervisi, nuk pranoi për këtë shumë dhe më tha se ishin shumë. Negociuam pazarin dhe përfundimisht ramë dakord që Ervisi të më jepte shumën 500.000 Euro që unë të kryeja vrasjen. Pasi ramë dakord për shumën unë i kërkova paradhënie një shumë prej 300.000 Euro. Visit, iu duk shumë dhe pas negociatave përfundimisht ramë dakort që të me jepte paradhënie shumën prej 100.000 Euro. Shumën tjetër do ta merrja pasi të mbaronte puna. Pas disa ditësh nga kjo bisedë Elvin Mërlika (Eli), më ka shkruar në telefon dhe më tha se paratë ja dha Fredi Xhixhës. Gjithashtu Eli më tha se i ka dhënë Fredit edhe telefonin e tij me qëllim që të bisedonte me mua. Më pas unë komunikova me një telefon “Sky” që e kisha lënë në shtëpi për të kontaktuar me familjen dhe këta lajmëruan djalin e xhaxhait tim që quhet Rrahim Dumani. Unë i kërkova në “Sky” njerëzve të shtëpisë që të shkonin dhe të takonin Rrahimin, pasi doja të flisja me të.Pas pak kohë Rrahimi ka vajtur tek shtëpia ime dhe u lidha me të në telefonin “Sky”. Unë i kërkova që të shkonte deri në Vorë dhe të merrte një porosi timen. Ai pranoi por më tha se vetëm të mos ishte diçka e kundërligjshme. Unë i thashë që janë ca lek pa i thënë për shumën. Rrahimi ka dalë në Vorë tek një karburant ku aty ka takuar Fredin, i cili i ka dhënë shumën e parave. Nuk kanë biseduar fare me njëri-tjetrin por thjesht Fredi i ka dhënë paratë Rrahimit. Dua të shtoj së fillimisht ka vajtur Rrahimi me një automjet “Audi” në pronësi të familjes së tij. Në momentin që Rrahimi është tek karburanti ai më dërgoi një foto dhe unë kam komunikur direkt me Fredin, të cilit i dhashë të dhënat se ku ishte Rrahimi me “Audin”. Edhe Rrahimi edhe Fredi më konfirmuan se Rrahimi i mori paratë.
Pasi ka marrë paratë Rrahimi ka vajtur në Durrës. Pas disa ditësh, me kërkesën time Rrahimi ka ardhur me autobus në Kosovë dhe më ka takuar mua tek shtëpia ku rija unë në atë kohë në Gjilan. Ka ndenjur një natë në shtëpinë time Rrahimi më dha paratë të cilat unë nuk i hapa në prezencë të tij.Të nesërmen Rrahimi është larguar. Paratë që më dërgoi Ervisi ishin të gjitha prerje 50-she Euro. Pas kësaj Ervisi më shkruante herë pas here në telefon duke me pyetur se si ishte puna, se Dokle po lëvizte nëpër Tiranë. Unë gjithmonë i gjeja ndonjë justifikim. Ervisi, kishte informacion për lëvizjet e Indritit dhe herë pas here me informorte. Foto nuk më ka dërguar. Unë në të vërtetë nuk kam marrë asnjë veprim për të vrarë Indrit Doklen. Ervisi nuk më ka kërkuar që ti kthej lekët mbrapsht. Dua të tregoj një rast kur Ervisit i kam kërkuar ndihmë që të më kalonte për në Kosovë gruan dhe kalamanjtë në doganë pa i regjistruar në sistem. Kjo gjë ka ndodhur me të vertetë dhe bëhet fjalë për dy raste, një në muajin Shkurt të vitit 2021, kurse hera e dytë në fund të vitit 2021. Se si ka arritur që të mos regjistrohen gruaja dhe kalamajtë nuk e di. Gjithashtu, Ervisi herë pas here më njoftonte për përpjekjet që bëheshin për të më arrestuar mua. Ai informacionet i merrte nga institucione të ndryshme si RENEA, Operacionale, SHISH etj. Informacioni i fundit që më përcolli sipas tij ishte informacion i SHISH dhe bënte fjalë që ishin shumë afër arrestimit tim. Ai i bënte foto informacionit që i kishin dërguar dhe ma dërgonte mua në “Sky Chat”. Dua të shtoj se kushuriri im që erdhi në Kosovë për të më dhënë 100.000 Euroshin ka fjetur një natë para tek kompleksi i Ervis Martinajt, që ndodhet në autostradën Milot-Fushë Krujë.
Dosja Dumani-Martinaj
Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, ishte akuzuar së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe, ku disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore. Por ishte vendosur në shënjestër për t'u arrestuar nga Ervis Martinaj. Këtë e zbuloi Nuredin Dumani. Kështu që pas masakrës së Fushë Krujës, ku u mes 3 personave, u vra edhe Brilant Martinaj, Endrit Dokle u mor në pyetje. Megjithatë mohoi të kishte lidhje me ngjarjen. Edhe herë të tjera ai është shprehur se nuk i ka marrë për bazë deklarimet e Dumanit, duke mohuar pretendimet e një hakmarrjeje të mundshme ndaj Martinajt. Ndërsa vetë Dumani gjithashtu është shprehur se nuk kishte dëshirë ta vriste Doklen, por donte vetëm t'i fuste në 'sherr'./Zëri.ai