Aktualitet

Përfundon pa incidente protesta e serbëve në Mitrovicën e Veriut, Kurti: Vuçiç u pëtpoq të krijojë frikë tek qytetarët

Serbët në numër relativisht të vogël shprehën pakënaqësitë e tyre.

I.F
Përfundon pa incidente protesta e serbëve në Mitrovicën e
Serbët duke protestuar në Mitrovicën e Veriut

MITROVICA E VERIUT- Serbët në Mitrovicën e Veriut protestuan kundër hapjes së qarkullimit në Urën e Ibrit. Ata kundërshtuan hapjen e urës në Ibër, e cila do të bashkojë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut. Serbët në numër relativisht të vogël shprehën pakënaqësitë e tyre.

Portesta e serbëve nxiti reagime në Serbi, ku Vuçiç tha se edhe shqiptarët e Kosovës po protestojnë kundër qarkullimit në Ibër. Ai gjithashtu i bëri thirrje KFOR të mbrojë serbët. Pas këtyre deklaratave reagoi edhe Albin Kurti, duke i quajtur të rreme dhe se asnjë shqiptar nuk po proteston. Ai i quajti këto deklarata si propagandë dhe për të krijuar frikë tek qytetarët.

“Me akuza të rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, synon të krijojë një atmosferë frike dhe të nxjerrë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do të përgjigjet”, tha Kurti në X.

Ndërsa, policia e Kosovës deklaroi se protesta e komunitetit serb përfundoi e qetë dhe zgjati për një orë. Sipas zyrtarëve, policia u kujdes për ruajtjen e rendit dhe për sigurinë e protestuesve gjatë demonstratës.

Përfundon pa incidente protesta e serbëve në Mitrovicën e
Protesta në Mitrovicën e Veriut

“Sot, rreth orës 11:00, në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë Veri ka filluar të mbahet protesta e paralajmëruar e disa qytetarëve të nacionalitetit serb, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën dhe deklarimet për hapjen e urës për qarkullim. Rreth orës 12:00, protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë larguar dhe njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e tyre”, thuhet në deklaratën e policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e Urës në këtë moment.

Marrëveshja për lëvizje të lirë që ishte arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2014 bëri të mundur që në gusht të vitit 2016 të fillojnë punimet për zhbllokimin e urës. Bashkimi Evropian investoi 1.2 milion euro për revitalizimin e urës, e cila megjithatë mbeti e mbyllur për lëvizjen e makinave.

Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe. Vendimi për hapjen e urës është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar ende. Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet./ZËRI

Poll

MOS HUMB