
TIRANË- Ka përfunduar afati i dorëzimit të formularëve të vetëdeklarimit të rreth 13.500 punonjësve të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës, nëse kanë përdorur më herët aplikacionet “SkyECC” dhe “EncroChat”.
Formularët janë dorëzuar 6 ditë përpara përfundimit të afatit të fundit që ishte data 4 janar 2024. Të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit kanë mohuar të kenë përdorur aplikacionet si ‘SkyECC’ apo ‘EncroChat’, të cilat po përdoren edhe nga grupet kriminale. Të gjithë formularët do t'i nënshtrohen një analizimi të plotë në vijim.
Deri më tani, janë 3 dosje të SPAK ku ka të përfshirë policë që ose janë vetë ata në këto aplikacione ose diskutohet për ta. E para ishte dosja e grupit të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, e dyta ishte “Metamorfoza” ku u godit ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe së fundmi shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni. SPAK, deri më tani, ka rreth 70 policë që po i heton, emrat e të cilave janë shfaqur në “SkyECC” dhe “EncroChat”./ZËRI