
TIRANË- Policia e Tiranës ka vënë në pranga 21-vjeçarin Jorgaq Thëngjilli, i cili mesditën e së dielës përplasi me makinhën e tij dy të rinj që ishin duke ecur në trotuar, në zonën pranë kryeministrisë. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se Thëngjilli ka qenë duke e ngarë mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara, ndërkohë që zona në fjalë është e banuar dhe me shumë biznese në afërsi. Por, i riu duket se ka qenë disa herë protagonist i drejtimit të mjetit me shpejtësi të lartë, pasi në sistemin e gjobave rezulton të jetë ndëshkuar deri në 20 herë si shkelës i rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas autoriteteve i riu i është nënshtruar testeve përkatëse dhe ka rezultuar se nuk kishte qenë nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike. Njëri prej të rinjve që mbeti i aksidentuar në trotuar, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Traumës.
Njoftimi i policies mbi arrestimin:
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin J. Th., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Ky shtetas, ditën e sotme, në rrugën “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, dyshohet për shkak të shpejtësisë mbi normat e lejuara, dhe ka aksidentuar shtetasit D. K., dhe K. D., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve
Drejtuesi i automjetit i është nënshtuar testit me “Drager” dhe “AquilaScan” dhe ka rezultuar që nuk kishte konsumuar pije alkoolike, apo lëndë narkotike. Ky shtetas është ndëshkuar më përpara për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.