TIRANA- Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar për tensionet gjatë protestës së studentëve, duke kërkuar uljen e tyre përmes dialogut dhe respektimin e të drejtave themelore.
Në deklaratën e saj, OKB-ja vë theksin te e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit të cilat duhet të garantohen edhe në kushtet e përplasjeve. Organizata nënvizon gjithashtu se ndërhyrjet e forcave të rendit duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
OKB-ja dënon aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke theksuar se këto veprime janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Deklarata e plotë e OKB-së:
OKB në Shqipëri përsërisin sërish apelin për dialog konstruktiv për uljen e tensioneve. Aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore.
Përforcojmë mesazhin se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit janë të drejta themelore që duhen respektuar dhe mbrojtur. Theksojmë gjithashtu rëndësinë e respektimit të parimit të proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit dhe të garancive për një proces të rregullt ligjor.
/ZËRI