
LEZHË- Gjykata e Lezhës ka vendosur të pezullojë nga detyra 11 zyrtarë të Kadastrës Lezhë. Bëhet fjalë për: Albana Gjinaj, Marinela Tuci, Orstela Bardhaj, Sebastjano Gjetja, Besjon Ivanaj, Ornela Marku, Eglantin Lleshaj, Dorina Sulaj, Xhentil Gjegji, Vitore Lleshi, Diljana Prenga. Vendimi është marrë nga Gjykata e Lezhës, nga gjyqtari Renis Sheshi pas kërkesës së bërë nga prokurori Erjon Shehaj.
Zyrtarët janë vënë nën hetim nga prokuroria e Lezhës, pasi sipas organit të akuzës nuk kanë zbatuar një vendim gjykate në lidhje me një pronë në zonën e Ranes së Hedhur në Shëngjin. Sipas prokurorisë gjykata ka vendosur asgjësimin e praktikave për këtë pronë dhe rikthimin e saj në gjendjen e mëparshme, pra në tokë shtet, por Kadastra nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Lezhës, ndaj dhe kanë nisur hetimet, duke sjellë dhe pezullimin e 11 punonjësve.
Ndërkohë punonjësit e pezulluar nga detyra kanë paralajmëruar se do ta ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit, pasi sipas tyre gjykata ka dhënë një tjeter vendim në lidhje më këto prona.Vendimi i është dërguar për ekzekutim këtë të shtunë policisë së Lezhës ndërsa të pezulluarit kanë të drejtë ta ankimojnë atë në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditëve.
Lufta e madhe bëhet për pronat te Rana e Hedhun, ku të gjithë pretendojnë se janë pronarë, duke privatizuar rërën. Në çështje bëhet fjalë për tjetërsimin e 234 mijë e 548 metër katrorë tokë shtetërore ranishte, ku është dënuar dhe me burg dhe ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj. Lidhur me këtë aferë, me 4 vite burg për tjetërsim prone është dënuar edhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka, ndërsa me 2 vite është dënuar ish-drejtori i Hipotekës, Artan Daja./ZËRI