Aktualitet

Bardh Spahia publikon shkresën për shkrirjen e 'Migjeni-t', drejtori e mohon: Jemi në ristrukturim

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci në reagimin e tij është shprehur se nuk bëhet fjalë për mbyllje.

f.t
Bardh Spahia publikon shkresën për shkrirjen e 'Migjeni-t',
BENET BECI DHE BARDH SPAHIA

SHKODËR- Bardh Spahia duke publikuar një shkresë në rrjetet sociale, denoncoi për shkrirjen e disa institucioneve përnjëherësh në Shkodër nga Benet Beci, vendim i cili është në kundërshtim me interesat e qytetit të Shkodrës. Spahia krah dokumentit shkruan se teatri “Migjeni” është institucioni më i rëndësishëm i kulturës në Shkodër dhe mban titullin “Nderi i Kombit”.

Bardh Spahia publikon shkresën për shkrirjen e 'Migjeni-t',
DOKUMENTI

Ndërkohë nga ana tjetër, drejtori i teatrit, Arjan Çuliqi mohon zërat për shkrirje të këtij institucioni kulturor. Sipas tij, jo vetëm që nuk ka shkrirje, pot Teatri Migjeni është në pikun e përgatitjeve për aktivitetet që do të shoqërojnë tempullin e artit dhe të kulturës në Shkodër përgjatë të gjithë vitit 2024.

REAGIMI I DREJTORIT TË TEATRIT:

Pas lajmit që ka qarkulluar në opinionin publik për një shkrirje të teatrit “Migjeni” në Shkodër ka reaguar vetë drejtuesi i këtij institucioni. Arjan Çuliqi shprehet se nuk ka asgjë të vërtetë, madje thotë se jemi në kulmin e provave për disa aktivitete që do të shoqërojnë tempullin e artit dhe të kulturës në Shkodër gjatë të gjithë vitit 2024. Drejtori i teatrit “Migjeni” foli rreth aktiviteteve më të afërta që nisin me “Bilbilat e Vegjël”, “Mbretëresha e dëborës”, një premierë për fëmijë dhe festivalin e teatrove për të rinj…

Me vendim të Këshillit të Bashkisë Shkodër, institucionet kulturore janë përfshirë në një proçes ristrukturimi, në të cilat është krijuar një ndërmarrje e veçantë për mirëmbajtjen e tyre me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes së Objekteve Publike.

Ndërkohë, menaxhimi i këtyre institucioneve si teatri, galeria, biblioteka, muzeu, vendi i dëshmisë dhe kujtesës, do të vijojë me tagër të drejtuesve të këtyre institicioneve, që do të merren totalisht me krijimtarinë artistike dhe kulturore të këtyre institucioneve.

Një reagim ka ardhur edhe nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili shprehet se nuk bëhet fjalë për mbyllje, por do të krijohet një drejtori e veçantë që, sipas tij do të përmbushë nevojën e shërbimeve mbështetëse të insitucioneve.

REAGIMI I PLOTË:

Institucionet kulturore nuk janë më arat e babës! Disa thonë që është kohë e humbur të merresh me përgënjeshtrime. Disa të tjerë thonë që përgënjeshtrimi amplifikon gënjeshtrën, po nuk ndërron mendjen e gënjeshtarëve. Unë vetë s’jam mësuar as të gënjej as të humbas kohë me gënjeshtarët. Por duke parë se si gënjeshtra për Teatrin “Migjeni” ka shqetësuar njerëz krejt të sinqertë e dashamirës po i them edhe unë dy fjalë. Me ardhjen në drejtimin e bashkisë Shkodër, kemi parë e dëgjuar nga brenda gjëra që të vjen sekëlldi t'i dish dhe të vjen turp t'i thuash publikisht.

Në Shkodrën ku kultura e sporti janë kryefjalë e historisë, shpirtit, vetëdijes dhe shpresës së qytetit, ne trashëguam një organikë të teatrit "Migjeni" ku 70 % të rrogave u jepeshin individëve që nuk kishin asnjë lidhje me rolin e teatrit, por me punë të tjera mbështetëse, të cilat edhe ato nuk ishin bërë megjithëse mund të bëhen me shumë më pak njerëz të futur në bordero për ato punë. Aktorët bënin prova pa asnjë kusht, trajtoheshin për keqardhje dhe lekët e biletava nuk dihet nga përfundonin, ndërsa ato të shpenzuara për naftë mbase kanë ngrohur teatrin e politikës po Teatrin “Migjeni” jo njëherë. Idem edhe në insitucione të tjera kulturore e sportive, ku organikat e fryra me punonjësish “mbështetës”, ishin një tallje e madhe me gjendjen e mjediseve të tyre. Gënjeshtarët në fjalë që kanë mbushur Shkodrën me lajmin se po shkrihet Teatri “Migjeni” janë fiks përgjegjësit për mjerimin e mësipërm.

Ne kemi krijuar një drejtori të veçantë, e cila do të përmbushë nevojën e shërbimeve mbështetëse të insitucioneve, duke shkurtuar shpenzimet për qoka “mbështetëse” të teatrit politik dhe duke vënë në punë një sistem të ri për mirëmbajtjen e menaxhimin e godinave. Teatri do të jetë po aty, trupa e artistëve të teatrit do të jetë aty, institucionet e tjera kulturore, sportive e arsimore, do të jenë po aty. Drejtuesit e tyre do të jenë po aty, por do të merren me art, kulturë, sport e arsim siç iu takon, jo me punët angari që duhet t’i bënin ata që morën rroga plot po nuk i bënë kurrë. Buxheti për kulturën dhe sportin bashkisë Shkodër në vitin 2024 është 50 % më I lartë se në 2023. Rrogat dhe honoraret e punonjësve të artit e kulturës janë edhe ato më dinjitoze. Edhe mirëmbajtja e godinave të institucioneve përkatëse do të jetë dinjitoze dhe kurrë më skandaloze. Kjo është e vërteta ime, të tjerat le t’i vlerësojnë shkodranët.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB