
TIRANË- Ngjarja tronditëse e izolimit të familjes në Tiranë nga 35-vjeçari Jetnor Zhabolli është komentuar edhe nga fqinjët, të cilët e kishin kuptuar se diçka nuk shkonte në familjen Zhabolli. Ata tregojnë se shumë rrallë e kishin parë gruan të dilte jashtë shtëpisë, dhe gjithmonë kokëulur dhe nën shoqërinë e burrit.
Sa i përket 35-vjeçarit, fqinjët e përshkruajnë atë si një njeri të pasjellshëm.
"Isha ndeshur në shkallë disa herë me të. Nuk përshëndeste. Zonjën e kam parë por e kishin si të ndaluar të përshëndetej me njerëzit. E pashë që kishte një gjë që nuk shkonte por thashë është zgjedhje e njerëzve. Gruaja dilte rrallë nga banesa, ishte e shoqëruar gjithmonë. Ai ishte i pasjellshëm, tip arroganti kur vinte puna për gërricjet për gjëra koti me komshinjtë”- u shpreh një prej fqinjëve të familjes së izoluar.
Nsërkohë një ditë pas arrestimit të 35-vjeçarit, Policia ka hequr kamerat e vendosura anash ditareve të apartamentit ndërsa, ato të derës së blinduar dhe brenda shtëpisë janë ende të paprekura.
35-vjeçari Jetnor Zhaboli, me profesion ekonomist u arrestua një ditë më parë (26 janar) pasi mbante të burgosura në banesën e tij gratë e familjes, nënën, gruan dhe dy fëmijët e mitur. Gjatë kohës kur nuk ishte në banesë, ai i kontrollonte familjaret e tij përmes kamerave që kishte instaluar në çdo cep të shtëpisë, përfshirë në dhomën e gjumit dhe në tualet. Ai i kontrollonte kamerat përmes telefonit, ndërsa gruaja, nënë dhe vajza e mitur e kishin të ndaluar që të dilnin nga banesa. Zhaboli kishte instaluar gjithashtu bllokues valësh në banesë, në mënyrë që gratë të mos kishin asnjë mundësi komunikimi me persona të tjerë./ZËRI