
TIRANË- ZËRI solli sot të plotë të gjithë bisedën e ballafaqimit mes gjyqtares Arnisa Këlliçi dhe prokurorit Adriano Dyrmishi, por jo vetëm aq. Megjithatë pikat më interesante i kishte pikërisht biseda me Dyrmishin. Le t'i analizojmë një nga një. Pikë së pari përse ka nisur përplasja dhe kërcënimi me jetë mes tyre? Dyrmishi pretendon se kancelari i Gjykatës së Tiranës (e identifikon si Donald) nuk e ka lajmëruar për diçka. Aty Dyrmishi ka reaguar dhe e ka marrë në telefon për ta kërcënuar.
"Përmenda emrin tënd (i thotë Dyrmishi-Këlliçit) sepse ai duhet të më thoshte mua për hallin që kisha se kam ngrënë bukë me të. Për këtë sharjet nga mllefi im i dehjes. Që një mik që kam ngrënë bukë nuk më lajmëron. Ky është i gjithë thelbi i gjësë. Unë po merrem...,"-thotë ai.
Ç'është kjo dosje? Nëse nuk është dosje, çfarë është?
Vetë Dyrmishi e cilëson si çështja "mëmë" por konkretikisht nuk e sqaron asnjëherë se për çfarë bëhet fjalë. Ç'është kjo çështje mëmë?
"Ka filluar nusja ankthin ilaçet. Më lër se po merrem me çështjen mëmë që më shpëtove ti."
Në thelb, si ka nisur kjo përplasje? Prokuroria deri më tani, edhe pse ka një kallëzim edhe nga kancelari, i cili ka regjistruar gjithashtu të gjithë bisedën, nuk e ka zbuluar dot.
Pika e dytë: përse hyn në lojë ish-gjyqtari me të cilin Këlliçi ka pasur një marrëdhënie romantike?
"Unë nuk di gjë fare po më futi B. Po më tha B. Kaq më tha B. Erdhi T. më takoi kaq. Kam pirë 2 herë kafe nuk pi më, më fute ti mua në qorrsokak. B. dhe by**a e T. Llogaris unë T. E llogaris unë të?,"-thotë Dyrmishi.
Përse ka hyrë në lojë personi në fjalë? Është një ish-gjyqtar, larg sistemit, pranë miqëve të vjetër, por në këtë histori pse ka hyrë? A ka ndonjë dosje për të cilën ai është i interesuar, apo ka diçka tjetër? Megjithatë ai e bën të qartë me mesazhet me Arnisën se ka lidhje deri lart dhe do t'ja rrënojë karrierën gjyqtares. Teksa bisedojnë me të, përmendet edhe kryetarja Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, por nëse është thjesht mënyrë të thënë, apo dhe ajo ka dijeni për këtë rast, pak dihet.
"Boll, o boll thuaj. Po timen kush e ka ditur Naureda Llagami? Po ta sqaroi me Nauredën,"-thotë Arnisa Këlliçi.
Në fund, nga ajo që është e zbardhur nga e gjithë biseda është edhe "perla" për mënyrën sesi një gjyqtare trajton dosjet që ka në dorë, e më pas ankohen për fluks dhe mbingarkesë. Teksa bisedon me prokurorin, në zyrë i futet një avokat dhe i kërkon informacion për dosjen e tij. Në këtë moment, gjyqtarja i shpjegon se nuk është mirë dhe nuk do ta pranojë fare dosjen. E dini për cilën dosje bëhej fjalë? Për vrasjen e Marvi Mihalit, ku avokati i kërkon informacion për një nga të dënuarit për vrasje që kërkon ulje dënimi, Eugen Bitraj. Megjithatë kjo dosje për mungesën e humorit të gjyqtares, nuk pranohet. Ama si shkëmbim i premton se do t'ja shpërblejë tek një dosje tërmeti.
BISEDA MES TYRE:
Arnisa Këlliçi: Do i vendos mospranim unë Eugen Bitrajt, jo për kompetencë. Më ka sjellë një deklartë. Se i kam vonuar edhe unë këto se nuk jam mirë. Vuaj dënimin, nuk dua të marr pjesë. Ti vendos një mospranim unë? PO ti ke tagër pranimi për ta. Ka mbajtur qëndrim Gjtkata e lartë, ideja ishte që dosja transferohej bashkë me të dënuarit.
Praktika nuk ka ardhur nga burgu?
Arnisa Këlliçi: Jo, vetëm kërkesa e këtij është. Po do i them Denadës se nuk jam mirë. Ma bëj hallall po nuk jam mirë sot. Më hajde tek dosja e tërmetit të lutem se nuk kam për të ta shtyrë më.
Të gjitha këto pikëpyetje nuk kanë ende sot një përgjigje. I vetmi konkluzion që ka dalë Prokuroria është fakti se gjyqtarja e ka shkuar vetë letrën e kërcënimit për veten. Prokuroria e Tiranës vendosi sot nën akuzë gjyqtaren Arnisa Këlliçi, për falsifikim dhe kallëzim të rremë, duke pretenduar se letra kërcënuese që ajo denoncoi ishte shkruar prej vetë asaj. Ky vendim i prokurorisë së Tiranës erdhi pasi gjyqtarja kërkoi që çështja të hetohej në një tjetër prokurori, pasi prokurori Dyrmishi të cilin ajo e akuzoi si kërcënues punon në këtë prokurori./ZËRI