
TIRANË- Piu fostoksinë para SPAK-ut, ndërron jetë në spital 63-vjeçari nga Lezha, Pal Trashaj.
Burime nga QSUT bëjnë me dije për ZËRI-n, se Trashaj nuk ka mundur që të mbijetojë, pasi u dërgua dje pak pas mesdite në spital, pasi kishte pirë fostoksinë në hyrje të SPAK. Prej kohësh ai kërkonte një takim me kreun e SPAK Altin Dumani, për t’i shpjeguar atij, të gjithë zhvatjen që i ishte bërë nga kompania MCA, e cila merret me mbledhjen e kredive të këqija në vendin tonë.
ZËRI mëson se Pal Trashaj kishte pasur një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë të vjetra (76 mijë lekë të reja). Kredinë e kishte blerë MCA e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.
Trashaj njihej si historian në qytetin e Lezhës, ndërsa prej vitesh kishte denoncuar skandalin, por pa mundur që zëri i tij të dëgjohej. Edhe dje thirrjet e tij dhe lutjet e vazhdueshme për të takuar kreun e SPAK Altin Dumani ranë në vesh të shurdhët, derisa 63 vjeçari mori vendimin ekstrem për t’i dhënë fund jetës.
ZËRI siguroi dje dokumentin që ishte dhe “pika e vlimit” në hallin që kishte zënë Pal Trashajn. Në dokumentin e Bankës Kombëtare Tregtare, BKT, kthyer Trashajt dhe në dijeni të Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, thuhet se BKT ka një rol pasiv sa i përket çështjes që Trashaj ka me përmbaruesit dhe se është e detyruar të zbatojë urdhrat e këtyre të fundit.
Sa i përket bllokimit të llogarive, BKT shprehet se ato do të vijojë të qëndrojnë të bllokuara derisa të vendosë përmbaruesi gjyqësor që ka në dorë çështjen e Trashajt, konktrisht Helidon Xhindi. I gjendur në këtë situatë, ku përmbaruesit i kishin bllokuar gjithçka për një kredi që ai pretendon se e paguar njëherë, 63-vjeçari vendosi të vetëvritej para dyerve të SPAK, i cili ka në dorë dhe çështjen.
Si u zbulua skandali?
Prej më shumë se 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që kanë rënë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyrat e dhënies dhe mbledhjes së borxheve. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve para në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të zyrave të dhënies dhe mbledhjes së borxheve përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë të zyrave të dhënies dhe mbledhjes së borxheve dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI