TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Ervina Gjanës, e cila kërkonte kthimin e aparateve celulare të cilët janë sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve ndaj AKSHI-t. Zyrtarja e lartë e Policisë së Shtetit iu drejtua Gjykatës së Lartë për kthim të sendeve të sekuestruara, pasi fillimisht kërkesa e saj u refuzua nga Apeli që vendosi t’i ktheheshin vetëm telefonat e fëmijëve.
Në ankimin e paraqitur, Gjana kishte kërkuar kthimin e sendeve të sekuestruara, duke pretenduar se sekuestrimi është kryer në mënyrë të paligjshme. Në banesën e Gjanës u sekuestruan 8 telefona celularë dhe dy laptopë dhe Apeli vendosi të kthejë disa nga pajisjet.
Sekuestrimi i telefonave dhe laptopëve u krye në kuadër hetimit për përfshirje në grup të strukturuar kriminal me aktivitet mashtrime online, call-center, ndërhyrje në sistemet informatike dhe TIMS, si dhe bashkëpunim në krimin kibernetik, ku rezulton i përfshirë edhe bashkëshorti i saj, Renato Hristiç. Ky i fundit dyshohet se ka punuar si shoqërues i Agasit. Ndërkohë emri i Gjanës është përmendur edhe në bisedat e publikuara të Ergys Agasit.
Nga hetuesit ka dyshime se Ergys Agasi, përmes Gjanës vinte në lëvizje strukturat e hetimit kibernetik për të goditur biznese të ligjshme apo grupe kriminale rivale, me qëllim largimin e tyre nga veprimtaria ku ai, apo miq të tij, kishin interesa./ZËRI