
TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit, Xhevahir Lita. Vendim i caktuar më 4 shtator 2024, pasi Lita u vu në pranga në vitin 2023 në kuadër të operacionit "Metamorfoza" për akuzën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe nxjerrjen e sekretit hetimor.
Njoftimi i KPA
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 47/2024, datë 19.11.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Xhevahir Lita kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 796, datë 04.09.2024.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 796, datë 04.09.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Xhevahir Lita.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Rreth një muaj më parë, GJKKO vendosi lirimin e ish-prokurorit Xhevahir Lita, për të cilin SPAK kishte kërkuar 6 vite burg. Lita u përball në Gjykatë për akuzën e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor. Vetë ish-prokurori ka pranuar para hetuesve se ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC. Sipas SPAK, Lita ka marrë para në këmbim të ndarjes së informacioneve ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si edhe i ka orientuar si të japin deklarime në polici. Konkretisht Xhevair Lita u dënua nga GJKKO me 5 vite burgim, me gjykim të shkurtuar zbret në 3.4 vite, shuarje të masës arrest ne burg, lirimi menjëhershëm për shkak se e ka shlyer dënimin./ZËRI
