
ELBASAN- Policia e Shtetit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit mësynë në tregun agro-ushqimor të Elbasanit për të kapur Suel Çelën. Por si gjithmonë, aksioni i 24 tetorit dështoi. "Blutë" zbarkuan në treg për të kapur të shumëkërkuarin, por dolën me duar bosh. Edhe pse pretendonin se kishin informacione të sigurta se Çelën e kishin parë vetëm pak minuta më parë në "zonën" e tij, nuk gjetën asgjë. Sikur e treti toka! E në fakt ashtu ndodhi.
"Ina Media" ka nxjerrë për herë të parë pamjet e një ambienti që deri më tani vetëm mund të imagjinohej. Pikërisht në këtë treg ushqimor ka ambiente nëntokësore, ku përfshihen disa dhoma gjumi, një kuzhinë, një tualet, të gjitha si një shtëpi normale. Veçse pak metra nëntokë. E gjithë ngrehina është e monitoruar nga kamera sigurie dhe ka dyer të blinduara. Kush futet brenda, del vetëm kur do vetë jashtë!
Foto: Ambiente nëntokësore të tregut “agro-ushqimor” me dyer të blinduara, dhoma fjetjeje, derë sekrete dhe kamera survejimi
Suel Çela u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” të organizuar nga SPAK. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, ai është porositës i tre ngjarjeve 2 të parealizuara dhe 1 e mbetur në tentativë. Dumani e akuzon se Suel Çela e ka porositur për atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës dhe të Lulzim Mashës, ngjarje që ndodhi në zonën e Liqenit në Tiranë. Por kjo nuk është akuza e vetme për të. Çela gjithashtu rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh, ndërsa në nëntor 2019, Gjykata e Elbasanit e gjykoi për sulmin ndaj Policisë, po tek tregu ushqimor i Elbasanit.
Ngjarje kjo që tronditi opinionin publik në shtator 2017 kur dolën pamjet e Audit të zi, të blinduar që përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, por Gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash./ZËRI