
MITROVICË - Policia e Kosovës ka ushtruar kontrolle të tjera në veriun e Kosovës, që lidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit, të ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Mediat e Kosovës raportojnë se Prokuroria mund të sekuestrojë prona të Milan Radoiçiç, që mund të jenë në emër të tij ose të personave të tretë.
Pritet që Prokuroria të sekuestrojë një vilë të Radoiçiç, një lokal dhe një banesë. Në aksionin e sotëm policor, u sekuestruan makina dhe motora. Nga Prokuroria e Kosovës kanë thënë se përpos bllokimit të makinave, priten sekuestrime pronash.
Prokurori special Naim Abazi tha se po punohet në drejtim të sekuestrimit të pronave të dyshuara si të vëna në mënyrë të paligjshme. Në aksion, përveç Policisë së Kosovës dhe autoriteteve vendore, po marrin pjesë edhe EULEX e KFOR-i.
Mediat e Kosovës kanë publikuar edhe pamje nga prezenca e policisë në vilën e Radoiçiç, që ndodhet në Ujman.
Policia e Kosovës e ka rrethuar vilën dhe nëse do ketë një vendim të Prokurorisë, vila e të dyshuarit kryesor të bandës në Banjskë do të sekuestrohet.

Çfarë ndodhi më 24 shtator?
Të dielën e 24 shtatorit, Policia e Kosovës u godit befasisht nga një grup kriminal serbësh, të cilët vranë efektivin Afrim Bunjaku.
Policia e Kosovës i bëri thirrje grupit të armatosur për dorëzim, por përgjigja nga ana tjetër ishte me armë. Kjo bëri që Policia e Kosovës të kundërpërgjigjet, duke vrarë tre terroristë. Në mesin e të dyshuarve për pjesëmarrje në përplasjen me armë kundër forcave policore kosovare ishte edhe Milan Radoiçiç, nënkryetar i Listës Serbe./Zëri.ai/