Aktualitet

Prona nga Porto Palermo në Lezhë, konfiskohen pasuritë e Guxim Zenelajt, i kalojnë shtetit

Zenelaj u largua nga Gjykata e Lartë para nisjes së procesit të vetingut, por ndaj tij nisi një hetim nga SPAK

E.K
Prona nga Porto Palermo në Lezhë, konfiskohen pasuritë e Guxim
Guxim Zenelaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj.

Vendimi i Apelit, i formës së prerë, kalon në llogari të shtetit një sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë – Vlorë; si dhe gjashtë pasuri të paluajtshme në Ishull-Shëngjin-Lezhë, dy bodrume me sipërfaqe 16 m2 dhe 15 m2; njësi me sipërfaqe 218.06 m2, dhe tre apartamente me sipërfaqe 60.36 m2, 67.35 m2 dhe 51.35 m2.

Zenelaj u largua nga Gjykata e Lartë para nisjes së procesit të vetingut, por ndaj tij nisi një hetim nga SPAK më pas për "fshehje pasurie". Pasuritë e konfiskuara rezultojnë të pajustifikuara në burime të ligjshme financiare.

Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Saida Dollani (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më datë 15.07.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 41 akti, datë 15.02.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi G.Z., kundër vendimit nr. 26, datë 06.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

“1. Pranimin kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të sekuestruara me vendimin nr. 31, datë 19.12.2021 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të mësipërme të ngarkohet Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”/ZËRI 

Poll

MOS HUMB