
TIRANË- Seanca e sotme plenare që do të mbahet në Kuvend, ka në fokus raportimet nga drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. Në agjendën e seancës plenare janë të përfshira raportimet e Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK, ILD, KLGJ dhe KLP, me praninë e drejtuesve të tyre.
Seanca nis në orën 10:00 me raportimin e Olsian Çelës së Prokurorisë së Përgjithshme, i parashikuar jo më shumë se 20 minuta, për të vijuar me kreun e SPAK, Altin Dumanit me të njëjtën kohë të përcaktuar.
Raportet vjetore do të vijojnë më tej të paraqiten edhe nga ILD, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i prokurorisë.
Raportimi i tyre në Kuvend vjen në një kohë kur drejtësia ka në dorë disa dosje të bujshme dhe është vënë në qendër edhe të sulmeve politike.
Pas raportimeve nga drejtuesit e organeve të drejtësisë, diskutimet e deputetëve do të përqëndrohen në problemet e zonave që përfaqësojnë, pasi janë kthyer nga java e gjelbërt ku duhet të kishin dëgjuar problemet e zgjedhësve./ZËRI