
TIRANË- Në protestën e sotme të opozitës që do të mbahet në Tiranë, nuk do të jenë të pranishëm Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilët raportohet se ndodhen jashtë vendi për arsye personale. Ndërkohë që sa i takon fjalimeve që do të mbahen në protestën e sotme, ato do të kenë disa protagonistë, nga Sali Berisha, i cili do t’i drejtohet mbështetësve me një fjalim nga ballkoni i tij, te Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe aleatët e tjerë në opozitë.
Këtë të martë, 20 Shkurt, që përkon dhe me 33-vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha, demokratët do të zbresin në protestë përpara kryeministrisë. Protesta e sotme do të zhvillohet pa praninë fizike të liderit historik të tyre, Sali Berisha, i cili ndodhet nën arrest. Dhe pa praninë e një pjese të PD-së që përfaqësohet nga Lulzim Basha. Megjithatë pritshmëritë e organizatorëve flasin për një pjesëmarrje masive. Sali Berisha pritet që t’i drejtohet turmës së mbështetësve me një fjalim nga ballkoni i banesës së tij, i cili do të shfaqet para protestuesve përmes ekraneve.
/ZËRI