Aktualitet

Pse Britania e Madhe del e fituar nga marrëveshja për të burgosurit me Shqipërinë

Zyrtarët britanikë kanë këmbëngulur se marrëveshja me Shqipërinë është e favorshme në aspektin ekonomik, pasi në një vit ata shpenzojnë 40 mijë euro për çdo të burgosur

E.K
Pse Britania e Madhe del e fituar nga marrëveshja për të
Edi Rama dhe Rishi Sunak

BRITANI E MADHE- Mediat britanike kanë dhënë detaje në lidhje me marrëveshjen që është nënshkruar me Shqipërinë, për dërgimin e të burgosurve që të vuajnë dënimin në vendin tonë. Në këmbim Shqipëria pritet që të përfitojë 8 milionë paund në dy vite, shumë më pak nga sa i kushton Britanisë mbajtja e të burgosurve. Si fillim Britania e Madhe i ka dhuruar 37 mikrobusë dhe automjete elektrike Shqipërisë që kanë kushtuar 1.5 milionë paund.

Mes dy vendeve u ra dakord në muajin Maj që 200 të burgosur në Angli e Uells të transferohen në vendin tonë për të vijuar për pjesën tjetër të dënimit. Në këmbim qeveria britanike do të ndihmojë në “modernizimin” e sistemit të burgjeve shqiptare.

Me këtë bashkëpunim, Britania ul kostot për të burgosurit që sipas “The Indepedent”, shkojnë deri në 40 mijë paund në vit për çdo të burgosur. Rreth 500 mijë paund do të shpenzohen për 15 automjete elektrike, ndërsa 22 mikrobusë të rinj do t’i ofrohen shërbimit të burgjeve të Shqipërisë me një kosto prej më shumë se 1 milion paund.

Sekretari i Drejtësisë Alex Chalk deklaroi më herët se “publiku pret që kriminelët e huaj duhet të vuajnë dënimet e tyre jashtë shtetit, jo në burgjet tona në kurriz të taksapaguesit”. Deri në fund të vitit 2022, raportohet se në burgjet e Anglisë dhe Uellsit ndodheshin 1336 shqiptarë. 17 prej tyre janë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe pritet që të transferohen të parët drejt Shqipërisë.

Poll

MOS HUMB