Aktualitet

Pushimet u kthyen në makth: 6 italianë dhunohen në mes të Tiranës! Policia: Nuk bënë kallëzim, po hetojmë konfliktin

Sipas rrëfimit të tyre për mediat italiane, ngjarja ka ndodhur në mbrëmje pranë zonës së sheshit “Skënderbej”, ku një grup prej rreth 20 të rinjsh, të moshave 16-18 vjeç, dyshohet se i kanë ndjekur, kërcënuar dhe goditur.

zh.ll
Pushimet u kthyen në makth: 6 italianë dhunohen në mes të
foto te publikuara nga media italiane

TIRANË- Pushimet për një grup të rinjsh italianë u kthyen në makth. Një grup prej gjashtë të rinjsh italianë kanë ndërprerë pushimet e tyre në Shqipëri vetëm një ditë pas mbërritjes në Tiranë, pasi pretendojnë se ranë pre e një sulmi nga një grup adoleshentësh.

Të rinjtë kishin ardhur në vendin tonë më 29 korrik për disa ditë pushime. Sipas rrëfimit të tyre për mediat italiane, ngjarja ka ndodhur në mbrëmje pranë zonës së sheshit “Skënderbej”, ku një grup prej rreth 20 të rinjsh, të moshave 16-18 vjeç, dyshohet se i kanë ndjekur, kërcënuar dhe goditur. Sipas dëshmisë së tyre, adoleshentët u kanë hedhur ujë, shishe dhe gurë, ndërsa më pas i kanë rrethuar duke u kërkuar para.

Të rinjtë pretendojnë gjithashtu se në momentet e para nuk kanë marrë ndihmën e menjëhershme nga disa efektivë policie të pranishëm në zonë, ndërsa më pas kanë ndërhyrë disa forca të tjera të rendit që kanë bërë të mundur largimin e agresorëve. 

“Mbërritëm në Shqipëri, në Tiranë, më 29 korrik. Po atë mbrëmje, rreth orës 21:30, pasi bëmë dush, dolëm nga apartamenti që kishim marrë me qira për të shkuar për darkë. Ishim gjashtë veta. Sapo dolëm në rrugë, njëri prej nesh hyri në një dyqan të vogël për të blerë një shishe ujë.

Në atë moment u afrua një grup djemsh vendas që na pyetën nga vinim. Ne thjesht u përgjigjëm se ishim italianë. Filluan të ecnim drejt Sheshit Skënderbej, sheshit kryesor, kur ky grup – rreth 20 djem shumë të rinj, nga 16 deri në 18 vjeç – filloi të na ndiqte.

Filluan të na hidhnin ujë, shishe dhe madje edhe gurë. Në fillim u përpoqëm t’i injoronim dhe të vazhdonim rrugën, sepse sapo kishim mbërritur – ishte nata e parë e pushimeve tona – dhe sepse ishim në një vend të huaj dhe donim të shmangnim çdo problem.

Situata u përkeqësua papritur. Ata rrethuan njërin prej nesh dhe i kërkuan para, duke e kërcënuar drejtpërdrejt me thikë. Në atë moment njerëzit që ndodheshin aty filluan të largoheshin drejt policëve që ishin në zonë, ndërsa ky grup vazhdonte të na ndiqte duke hedhur gurë dhe duke goditur me grushte e shkopinj ata prej nesh që kishin mbetur prapa. Pothuajse të gjithë arritën të shpëtonin, përveç njërit. Ata e ndaluan, e goditën me grushte, e rrëzuan në tokë dhe vazhduan ta rrihnin edhe kur ishte i shtrirë.

Diçka e pabesueshme dhe shumë serioze ishte sjellja e agjentëve të parë të policisë që ndodheshin aty. Disa prej nesh kërkuan ndihmë të dëshpëruar, por ata bënë sikur nuk panë asgjë.

I kërkuam një kalimtareje numrin e emergjencës së policisë lokale për të thirrur ndihmë, por nuk morëm përgjigje. Fatmirësisht më pas ndërhynë policë të tjerë, të cilët arritën t’i largonin agresorët dhe thirrën ambulancën. Njëri prej nesh pësoi plagë dhe dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe mori ndihmën mjekësore në vendngjarje", citohet të ketë thënë i riu italian.

Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Policia e Tiranës, duke sqaruar se rasti është trajtuar menjëherë nga efektivët dhe po hetohet për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Policia bën me dije se ai ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, ndërsa më pas është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore.

Gjithashtu, Policia sqaron se shtetasi italian nuk ka pranuar të bëjë kallëzim për konfliktin, ndërsa edhe dy personat që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion mbi rrethanat e ngjarjes.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me një video të publikuar, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë, sqarojmë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, më datë 29.07.2026, në zonën pas Pallatit të Kulturës, dhe është trajtuar menjëherë nga Policia për veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje".

Konkretisht, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative për një konflikt, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin italian G. M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore. Në vendngjarje ndodheshin edhe dy shokët e tij, të cilët e shoqëronin. Shtetasi italian ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët ndodheshin në afërsi.

Më pas, shtetasi është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas deklarimeve të personelit mjekësor dhe këqyrjes së kartelës mjekësore, ai ka qenë i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta sipërfaqësore në gjymtyrë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin mjekësor për largimin e tij.

Gjithashtu ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallzim në lidhjen me konfliktin dhe personat që e kishin dëmtuar.

Edhe dy shtetasit që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion lidhur me rrethanat e konfliktit.

Pavarësisht mungesës së kallëzimit nga shtetasi italian, grupi hetimor ka vijuar veprimet hetimore, duke këqyrur pamjet filmike, nga të cilat ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Poll

MOS HUMB