FIER- 27-vjeçari Klement Beqaj, i cili ishte shpallur në kërkim për ‘vrasje me dashje’ të mbetur në tentativë dhe ‘armëmbajtje pa leje’ është arrestuar sot. Beqaj në vitin 2025 qëlloi me armë zjarri 42-vjeçarin Gledian Hoxhallari. Ai u ndalua në Kakavijë, pasi po tentonte të largohej nga vendi.
I riu kishte krijuar një lidhje intime me bashkëshorten e Gledian Hoxhallarit, Melisa Hoxhallarin, dhe e qëlloi 42-vjeçarin në sy të fëmijës të mitur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier bënë të mundur ndalimin e shtetasit K. B., 27 vjeç, banues në Fier, i shpallur më parë në kërkim. Nga hetimet rezulton se ky shtetas, më datë 05.01.2025, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin G. H., 42 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Për këtë rast, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi K. B., u ndalua në Kakavijë nga shërbimet e Policisë Kufitare. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.
Ngjarja ndodhi më 5 janar në Fier, ku u plagos me armë zjarri 40 vjeçari Gledian Hoxhallari. Autor i plagosjes është Klement Beqaj, 26 vjeç, i cili ishte në një lidhje dashurie me bashkëshorten e 40-vjeçarit, 29-vjeçaren Melisa Hoxhallari. Ka qenë djali i çiftit, vetëm 10 vjeç ai që ka telefonuar të ëmën dhe i ka kërkuar që ta marrë. E reja dhe autori i plagosjes u shpallën në kërkim, ndërsa Gjykata e Fierit ka caktuar për ta masën e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë./ZËRI