SARANDË- Dy ditë përpara protestës së paralajmëruar për të dielën në Kakome, është hequr porta që prej vitesh kufizonte hyrjen drejt plazhit. Ky vendim vjen pas rreth 20 ditësh protestash dhe reagimesh qytetare në nivel kombëtar, të cilët kana reaguar
Nuk dihet se kush ka dhënë urdhrin për largimin e portës, e cila është hequr me ndihmën e një vinçi, ndërsa sipas protestuesve, është rezultat i presionit të vazhdueshëm qytetar dhe vëmendjes së shtuar mediatike ndaj çështjes.
Në zonë, qytetarët kanë shkulur më herët edhe trarë e rrethime të vendosura nga persona që pretendojnë pronësi mbi pjesë të bregdetit, ku janë planifikuar investime për ndërtimin e resorteve turistike. Këto veprime kanë lejuar më pas akses më të lirë të pushuesve në Gjirin e Kakomesë.
Në fakt, zona e Kakomes, është mjaftuar e lakmuar. Ajo ka qenë në qendër të vëmendjes publike edhe vite më parë në vitin 2021 ku pati akuza e pretendime për falsifikime dokumentesh nga biznesmeni Luan Leka për të përfituar 18.5 ha pronë shteti buzë detit.
Çfarë ndodhi në gusht të vitit 2021
Sipërmarrësi Luan Leka, pjesë e grupit të investitorëve të shoqërisë “Riviera Kakome” reagoi publikisht duke bërë me dije se me mbështetjen e bankave, ishin në pragun e nisjes së një investimi prej 70 milionë eurosh në Gjirin e Kakomesë. Projekti parashikonte ndërtimin e një resorti turistik hotelier me 5 yje, me një kapacitet prej 375 dhomash.
Megjthatë, si duket, projekti ka mbetur në letër. Ende sot e kësaj dite nuk ka patur asnjë investim të tillë.
Historia e debatit për Kakomenë daton prej të paktën 2 dekadash
Më datë 05.07.2004, Këshilli i Kontrollit të Territorit të Republikës së Shqipërisë që asokohe drejtohej nga qeveria e Fatos Nanos, i dha kompanisë “Riviera” sh.p.k. truallin e Kakomesë me qira për 99 vjet. Njëkohësisht u miratua edhe ndërtimi i një resorti turistik, i cili do të realizohej në bashkëpunim me kompaninë franceze “Club Med”. Ky vendim u kundërshtua nga subjekti “Bashkësia e Fshatit Nivicë”, në emër të banorëve të fshatit Nivicë që ndodhet rreth 10–15 km larg Gjirit të Kakomesë. Pretendimi i këtij subjekti lidhej me mbrojtjen e së drejtës së pronësisë mbi tokë pyjore dhe kullota.
Fillimisht, subjekti “Bashkësia e Fshatit Nivicë” kërkoi nga AKKP (Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave) njohjen e të drejtës së pronësisë, duke pretenduar se duhej t’i njihej pronësia mbi një sipërfaqe prej disa qindra hektarësh, e emërtuar “pyll dhe kullotë”. AKKP Tiranë, me vendimin nr. 244, datë 07.09.2007, e rrëzoi këtë kërkesë si të pabazuar.
Më pas, subjekti “Bashkësia e Fshatit Nivicë” e kundërshtoi këtë vendim duke ngritur padi kundër AKKP Tiranë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me vendimin nr. 7153, datë 27.08.2008, gjykata e rrëzoi sërish kërkesën për njohjen e pronësisë.
Zotëruesit aktualë të pronës, pretendojnë se kanë shpenzuar 9 milionë euro vetëm për ta blerë këtë tokë pa përfshirë shpenzimet për projektet dhe infrastrukturën mbi truall si kanalizimet, rrugët e pusetat. Resorti nuk u ndërtua, sipas pronarëve për shkak të arsyeve “antiligjore” që e kanë vonuar realizimin e tij.
Megjithatë, u deshën 22 vite që pronarët pretendentë të këtij trualli, të hiqnin portën e vendosur vetëm pasi u paralajmërua një protestë nga banorët./Versus.al