
TIRANË- Në dokumentarin e RAI 3 për Shqipërinë, ekipi i gazetarëve zbulon lidhje mes ministrit ‘Made in Italy’, Pietro Urso, me ish-deputetin socialist Artan Gaçi, emri i të cilit prej kohësh është subjekt i Prokurorisë së Posaçme. Shoqëria që drejtohet nga familja Urso, ‘Italian World Service’, ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe në Shqipëri. Kompania tashmë drejtohet nga djali i ministrit, Adolfo Urso, për shkak të dorëheqjes së Pietros me marrjen e postit të ministrit.
Në Shqipëri, Adolfo Urso, rezulton që të jetë pronar i “Asigest Broker Albania”, një emër i ngjashëm me kompaninë e tyre në Itali, e cila operon në tregun e sigurimeve. Në bashkimin e kompanive në Shqipëri, del në skenë edhe një kompani tjetër, këtë herë e themeluar, nga një shtetas shqiptar që është Andi Canaj.
Ky i fundit nuk është një emër i panjohur, për shkak se ka marrëdhënie të ngushta me biznesmenë italianë, të cilëve iu premton ndihmë dhe influencë për të fituar projekte në Shqipëri. Por nuk mbaron me kaq! Canaj në fakt rezulton që të jetë punonjës apo vartës i ish-deputetit Artan Gaçi në kompaninë e tij ATGCC. Sipas ekipit të Report, Canaj përdor një adresë emaili, në emër të kompanisë së Gaçit.
Në një intervistë të shkurtër me gazetarët, Canaj pranon që e ka takuar Pietro Urson, ministrin italian, duke thënë se kanë miq të përbashkët. Ndërkohë që vetë djali i ministrit italian, Adolfo Urso, paradoksialisht e mohon njohjen me Canajn, edhe pse e ka ortak në biznes.
Gazetarët kanë këmbëngulur për të marrë sqarim nga të gjithë personat e përfshirë, por asnjëri prej tyre nuk ka preferuar të flasë. Ministri italian thotë se kompania tashmë drejtohet nga djali i tij, i biri nuk pranon që të flasë pa avokat, ndërkohë që vetë Gaçi i pyetur për këtë marrëdhënie, iu tha gazetarëve që e kishin marrë në një moment të papërshtatshëm.
Në shkrimin e RAI 3 thuhet se Artan Gaçi nuk është një njeri dosido, dhe se më herët ka qenë kryetar i komisionit të miqësisë italo-shqiptare.
“Gaçi është i afërt me kryeministrin, ish-deputet dhe kryetar i komisionit të miqësisë italo-shqiptare dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme të Ramës, Olta Xhaçka. Gaci po ndërtonte një resort luksoz me vlerë mbi 5 milionë euro pak metra larg detit, në jug të Vlorës, por operacioni përfundoi në qendër të një hetimi korrupsioni dhe kantieri u sekuestrua nga drejtësia shqiptare. Plazhi përballë iu dha për përdorim ekskluziv nga qeveria, anëtare e së cilës ishte gruaja e Gacit, kompanisë Agtç Hotel Manager, që ka lidhje me ish-politikanin. Kjo kompani është e vendosur në të njëjtën adresë si Generate, kompania Canaj e cila nga ana e saj është partnere e Pietro Urso”, thuhet në shkrimin e medias italiane.
“Shqipëria e Edi Ramës është një tokë e mundësive të mëdha për sipërmarrësit që duan të bëjnë biznes. Këtu ka ushtruar aktivitetin e tij lobues edhe Ministri i Biznesit Made in Italy, Pietro Urso. Ky i fundit 10 ditë para se të betohej, ishte pronar i një kompani aktive në sektorin e konsulencës dhe lobimit, duke arritur rezultate të shkëlqyera. Në vitin 2015, siç kishte zbuluar në atë kohë Report, ministri aktual në fakt po kryente konsulencë për llogari të kompanive të Francesco Becchetti, ish-pronar i televizionit shqiptar Agon Channel. Sot Becchetti heq dorë nga miqësia e së shkuarës: Ministri Urso e kishte braktisur atë në mes të përballjes me kryeministrin shqiptar Edi Rama”, thuhet mes të tjerave në reportazhin e RAI3. Më pas historia dihet, biznesmeni italian ka nisur një betejë ligjore me qeverinë shqiptare, duke kërkuar dhe marrë një dëmshpërblim prej 120 mijë eurosh nga Strasburgu.
/ZËRI