Kemi qenë ZËRI i qytetarëve në një hark kohor prej thuajse dy vitesh duke raportuar skemat e mashtrimeve në kredimarrje, atë trekëndëshin e ngushtë që tashmë është nën hetim, përmbarues-institucione mikrofinanciare dhe Banka e Shqipërisë. Por, kur në këtë lojë futet një prej bankave më të mëdha në vend, si Raiffeisen Bank, nuk kemi më të bëjmë me keqmenaxhim të izoluar. Kemi të bëjmë me një sistem që duket se i njeh mirë limitet ligjore dhe i shkel po aq mirë.
Në disa raste të denoncuara së fundmi, qytetarët janë përballur me kredi të marra në emrin e tyre, por pa dijeni, pa firmë, dhe madje pa qenë fare pjesë e një marrëdhënieje me bankën. Dhe ndërkohë që qytetarët luftojnë për të mbrojtur të drejtën e tyre më elementare, të mos paguajnë një borxh që nuk e kanë marrë, Raiffeisen Bank përpiqet të pastrojë imazhin me një fushatë përmes të cilës përpiqet të paraqitet si ‘shpëtimtarja’ e shtresave në nevojë.
Rasti i parë ka të bëjë me një qytetar, i cili denoncoi publikisht se një ortaku i tij kishte marrë një kredi në emrin e tij pa dijeni. Sipas tij, në bankën Raiffeisen ishte paraqitur një kontratë kredie me një firmë që ai nuk e kishte bërë kurrë dhe dokumentet ishin të falsifikuara. Megjithatë, kredia ishte miratuar dhe lëvruar. Gjithçka ndodhi pa asnjë kontakt paraprak, pa një telefonatë, pa një verifikim.
Por, qytetari në fjalë u vu në dijeni, kur Raiffeisen nisi procedurat për kthimin e shumës, duke i kërkuar mbi 8 milionë lekë. Gjithçka u kuptua prej tij vetëm pasi i ishte bllokuar llogaria dhe paga që merrte çdo muaj. Kur kërkoi shpjegim, u përball me një burokraci të hekurt dhe për të fituar të drejtën e tij, iu desh të hapte një betejë ligjore për të provuar se firma nuk ishte e tij dhe se dokumentet ishin të manipuluara.
Rasti i dytë ka të bëjë me një qytetare denoncoi se Raiffeisen Bank i kishte marrë një shumë të konsiderueshme nga llogaria e saj bankare për një kredi të marrë në emër të ish-bashkëshortit. Kredia, sipas dokumenteve, ishte nënshkruar nga ajo si bashkëkredi-marrëse, por gruaja pretendon se nuk ka nënshkruar asnjëherë asnjë dokument të tillë dhe nuk kishte as dijeni për ekzistencën e kësaj kredie. Ajo nuk kishte firmosur, nuk kishte qenë e pranishme dhe nuk kishte asnjë interes në këtë marrëveshje financiare. Banka e kaloi kredinë më pas te një subjekt tjetër privat, Tranzit SHPK, duke e zhvendosur përgjegjësinë.
Ndërkohë, llogaritë e qytetares u bllokuan, ajo mbeti pa të ardhura dhe u përball me përmbarues që vepronin mbi bazën e një kontrate të dyshimtë. Për muaj të tërë, ajo kërkoi të merrte një përgjigje zyrtare, por as banka dhe as kompania që bleu kredinë nuk pranuan përgjegjësi për dëmin financiar që i ishte shkaktuar.
Edhe rasti i tretë ka të bëjë me një qytetare tjetër, të cilës Raiffeisen Bank i kërkoi të shlyente një kredi që, sipas saj, ishte marrë në emrin e saj me një firmë të falsifikuar. Ajo nuk kishte aplikuar asnjëherë për kredi, nuk kishte qenë në bankë dhe nuk kishte nënshkruar asnjë dokument. Qytetarja ngriti një padi për falsifikim dhe pas një procesi të gjatë, gjykata dënoi bankën për lëshim kredie në bazë të dokumenteve të falsifikuara. Rasti u mbyll me një dënim për bankën.
Po dëmin moral dhe financiar që ajo kishte pësuar gjatë gjithë këtyre muajve që kishte jetuar nën kërcënimin e një përmbaruesi, kush e kompenson?
Të treja rastet kanë një element të përbashkët: qytetarë të zakonshëm, të cilëve u është vënë një barrë financiare në mënyrë të paligjshme dhe një bankë që në rastin më të mirë, ka qenë e paaftë për të kontrolluar dokumentet, dhe në rastin më të keq, ka zgjedhur të mos e bëjë këtë.
E megjithatë, pavarësisht këtyre ngjarjeve, Raiffeisen Bank nuk ka zgjedhur të japë sqarime publike, as të kërkojë ndjesë, as të ofrojë transparencë. Përkundrazi, ka zgjedhur të nisë një fushatë për të promovuar kreditë e buta për familjet e reja, që është një projekt që bëhet në bashkëpunim me Bashkitë.
Në këtë fushatë, banka paraqitet si partnere sociale, si institucion që ndihmon qytetarët për të pasur një “çati” mbi kokë, me kredi me kushte të favorshme dhe që hap një derë për të ardhmen e tyre.
Por kjo është vetëm fasada. E vërteta është që këto kredi të buta nuk janë një ndihmë apo bamirësi e bërë nga Raiffeisen Bank. Ato janë kredi të subvencionuara nga buxheti i shtetit, pra nga paratë e qytetarëve shqiptarë. Banka në asnjë moment nuk heq dorë nga fitimi, madje merr komisionet e saj, tarifat për administrim, për sigurim prone, për vlerësim notarial e shumë procedura të tjera.
Dhe në këtë rast, përfiton edhe nga fushata e marketingut që e vendos në rolin e shpëtimtares.
Por spotet me ngjyra nuk mund ta fshijnë kujtesën kolektive, sepse kur një një qytetar firmos, përballet me përmbaruesin tek dera.
Por kur një bankë përdor një firmë të falsifikuar? Atëherë zgjedh të bëjë fushatë për ndihmë sociale.
Ne sot ju sollëm tre raste dhe vetëm në njërin prej tyre, qytetari ka fituar deri diku të drejtën e tij. Po dy rastet e tjera? Si është e mundur që një bankë e madhe si Raiffeisen Bank, me sistemet e saj “të sigurta”, me juristë dhe kontroll të brendshëm, të kalojë një sërëdokumentesh dhe më pas t’i kërkojë borxh familjes për një kredi që nuk ekzistoi kurrë?
Këtu kuptojmë që kemi të bëjmë me një sistem që lejon abuzime pa pasoja dhe në këtë rast, abuzimi bëhet i ligjshëm./ZËRI