
HIMARË- Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Himarë, ka shpërndarë titujt e pronësisë për banesat e trashëguara në zonat kadastrale me probleme. Gjatë takimit të tij, Rama tha se ky proces ka zgjatur për 6 muaj, ndërsa shtoi se do të vazhdojë puna për Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).
“Ne do të vazhdojmë me AMTP-të, që janë një tjetër sfidë më vete si rezultat i problematikash, që e kemi thënë, e kemi shpjeguar, që të gjithë e dimë, pasi zona e Himarës, ashtu dhe disa zona të tjera të Shqipërisë kanë pasur problem të trashëguara si rezultat edhe i mungesës së azhurnimeve dhe i shumë mbivendosjeve. Në 6 muaj kemi bërë atë që pritej prej shumë e shumë vitesh dhe kemi arritur që të gjithë bazën e punës së bërë në kohë e mëparshme, ta shfrytëzojmë për ti dhënë ritëm procesit. Merita në këtë punë i takon vetëm Vangjel Tavos”, tha Rama.
Më tej, Rama shtoi se do të realizohen investime të tjera në zonën e Himarës.
“Do shikoni projekte të reja që do nisim, në mënyrë që ti japim vlerë çdo metri katror, çdo shtëpie, apartamenti duke përmirësuar dhe duke rritur cilësinë e jetës përmes investimeve me parkimet publike. Kemi një plan të ndërhyjmë në qendër të Himarës dhe ku fare mirë ku mund të bëhet një qendër shumë e bukur, për ta çliruar edhe më shumë energjinë, që mund të çlirojë qyteti dhe që brenda qyteti të jetë i vizitueshëm, të ketë më shumë njerëz dhe të këtë më shumë ekonomi”, theksoi Rama. /ZËRI