
TIRANË- Ndotja akustike në Shqipëri është mbi normë në shumicën e qyteteve. Në këtë përfundim ka dalë Agjencia Kombëtare e Mjedisit pasi ka analizuar fluksin e makinave, ndërtimet por edhe mungesën e hapësirave të gjelbra pranë zonave të banuara. Megjithatë është një zonë që futet në "rrethin e kuq", është ajo e 21 Dhjetorit.
“21 Dhjetori mbetet zona më e zhurmshme gjatë ditës jo vetëm e Tiranës, por e gjithë Shqipërisë. Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2022 këtu niveli i zhurmave ditën e tejkaloi me 25% standardin e OBSH dhe ligjit shqiptar”.
Në rang vendi, Shkodra dhe Tirana janë dy qytetet më të zhurmshme. Shkodra prodhon ndotjen më të lartë akustike ditën, ndërsa Tirana gjatë natës. Qytetet më të qeta, sipas "TvKlan", rezultojnë Kukësi dhe Berati.
“Nga monitorimi i zhurmave urbane për vitin 2022 rezulton se në qytetin e Kukësit nuk kemi tejkalim të nivelit të zhurmave ditën dhe natën. Në qytetin e Beratit nuk kemi tejkalim të normës natën,”- njoftoi AKM-ja.
Për të qëndruar brenda normave, Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake janë vendosur në lëvizje. Për shkeljen e normave parashikohen gjoba nga 5 000 lekë deri në 50 mijë Lekë. Por pritet për t'u parë nëse ky aksion do të sjellë rezultat në uljen e ndotjes akustike./Zëri.ai