Aktualitet

Rikthehet "TikTok" në Shqipëri, qeveria sqaron vendimin: Nga masat kufizuese kalojmë te monitorimi aktiv

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi vjen pas një rivlerësimi institucional dhe adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, me fokus të veçantë te mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve.

zh.ll
Rikthehet "TikTok" në Shqipëri, qeveria sqaron vendimin: Nga
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Rrjeti social TikTok është rihapur zyrtarisht pas një viti, me vendim të Këshillit të Ministrave ditën e djeshme. Përmes një njoftimi publik ka reaguar qeveria, duke sqaruar opinionin publik lidhur me vendimin për heqjen e masave të përkohshme që ndalonin aksesin në platformën online TikTok.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi vjen pas një rivlerësimi institucional dhe adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, me fokus të veçantë te mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve.

Në njoftim, theksohet se ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, ndërsa po punohet për hartimin e një plani ndërgjegjësimi me fokusin te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit për përdorimin e platformave online.

Njoftimi zyrtar:

Agjencia për Media dhe Informim sqaron median dhe opinion publik në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave datë 03.02.2026 për heqjen e masave të përkohshme për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok

Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje e parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm. Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.

Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike.

Rikthehet "TikTok" në Shqipëri, qeveria sqaron vendimin: Nga
vendimi

Tiktok u pezullua më 6 mars të vitit të kaluar. Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB