TIRANË-Henrik Hoxhaj gjatë dëshmisë së tij në GJKKO në kuadër të dosjes 'Plumbi i artë', ka treguar para trupës gjykuese se ka marrë një ofertë për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, por ka pohuar se nuk ka qenë i interesuar dhe nuk ka marrë pjesë në planifikimin e atentatit.
Hoxhaj rrëfen se oferta i është bërë nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, ditën e ditëlindjes së këtij të fundit. Hoxhaj u shpreh se i kishte ofruar 200 mijë euro për të ekzekutuar Sanxhaktarin, por nuk u finalizua. Ai ka nënvizuar se Dumani përveç shifrës së lekëve për të kryer ekzekutimin, nuk i ka treguar kush po investonte për vrasjen e dhëndrit të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit asakohe.
Henrik Hoxhaj: Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin.
Prokurori: Kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?
Henrik Hoxhaj: Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më.
Prokurori: Një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?
Henrik Hoxhaj: Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty. Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar.
Prokurori: Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro.”
Henrik Hoxhaj: Po, se nuk u mbarua puna, pra.