
TIRANË- Një projektligj i ri për Policinë Bashkiake synon riorganizimin e thellë të policisë vendore, me qëllim ruajtjen e sigurisë, qetësisë dhe rendit në komunitet, si edhe administrimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e mjedisit. Drafti parashikon krijimin e një strukture të centralizuar në nivel qarku dhe drejtorive vendore në bashki.
Ky riorganizim vjen e si pasojë e mosfunksionimit të misionit të strukturës aktuale. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit të publikuar nga WebLajm, janë konstatuar disa problematika, që nga kompentecat, paqartësi operacional, muhesë trajnimesh, etj.
“Në praktikë konstatohen problematika që lidhen me qartësinë e kompetencave, paqartësi operacionale në zbatimin e detyrave të Policisë Bashkiake në territor, mungesë unifikimi të ushtrimit të përgjegjësive në rang vendi, mungesë trajnimesh të stafit dhe standardeve profesionale të punonjësve”, thuhet në dokumentin zyrtar.
Projektligji, i hartuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria për Pushtetin Vendor, ka për qëllim unifikimin e funksioneve të Policisë Bashkiake në rang kombëtar. Por, mbetet e paqartë se si realizohet, pasi Policia Bashkiake vazhdon të financohet nga buxhetet e bashkive, pra nga arka e pushtetit vendor.
Çfarë ndryshimesh parashikon projektligji i ri?
-Kryepolici bashkiak nuk do të jetë më në varësi të drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë;
- Vartësia funksionale kalon te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bashkiake, i cili do të jetë nën varësinë e ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë;
- Drejtoria qëndrore do të ketë funksion parësor rekrutimet dhe standarti e zbatimit të ligjit në terren.
Projektligji i ri zgjeron kompentecat e Policisë Bashkiake në trajtimin e problematikave të përditshme:
- Në raste të evidentimit të ndërtimeve të kundërligjshme, punonjësit e Policisë Bashkiake detyrohen të njoftojnë strukturat urbanistike të bashkisë ose inspektoratin përkatës për vijimin e procedurave ligjore.
- Në kuadër të rendit dhe sigurisë publike, punonjësit e Policisë Bashkiake do të kenë të drejtë të verifikojnë identitetin në rastet e kundërvajtjeve administrative ose kur ka dyshime për cenim të rendit.
- Në raste emergjencash, fatkeqësish natyrore apo aksidentesh, Policisë Bashkiake mund të ndëryje me kompetencën për bllokimin e përkohshëm të rrugëve ose mjediseve publike brenda juridiksionit të bashkisë.
Çfarë parashikon Neni 8 i draftit të projektligjit
Neni 8 i projektligjit përcakton organizimin e ri të Policisë Bashkiake, duke e ndarë atë në dy nivele: qendror dhe vendor. Në nivel qendror krijohet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Bashkiake, ndërsa në nivel vendor funksionojnë Drejtoritë Vendore pranë bashkive.
Sipas pikës 2 të nenit 8, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Bashkiake, e cila do të jetë në varësi të ministrit, përfaqëson autoritetin më të lartë teknik, mbikëqyrës dhe drejtues të kësaj strukture në rang vendi. Ajo do të organizohet në drejtori që mbulojnë funksione parandalimi, koordinimi, trajnimi dhe logjistike.
Ndërkohë, Drejtoritë Vendore të Policisë Bashkiake do të mbeten formalisht në varësi të kryetarëve të bashkive dhe do të shërbejnë si struktura bazë operacionale në territor. Bashkitë do të vazhdojnë të mbajnë përgjegjësinë financiare dhe funksionale për garantimin e veprimtarisë së tyre.
Risia kryesore e këtij neni është krijimi i një “superdrejtorie” në nivel qendror, e cila mbikëqyr dhe drejton në mënyrë të unifikuar Policinë Bashkiake në të gjithë vendin, duke kufizuar autonominë e bashkive në këtë fushë.
Roli i ministrit sipas Nenit 9
Neni 9 i projektligjit përcakton qartë rolin e ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike. Ministri shpallet autoriteti kryesor politik që përcakton drejtimet e veprimtarisë dhe mbështetjes së Policisë Bashkiake, në përputhje me politikat shtetërore dhe programin e qeverisë.
Sipas këtij neni, ministri ka kompetencë të përcaktojë objektivat strategjikë për ruajtjen e sigurisë, qetësisë dhe rendit në komunitet, si dhe të orientojë veprimtarinë e Policisë Bashkiake në funksion të mbarëvajtjes së punëve publike, administrimit të hapësirave publike dhe mbrojtjes së mjedisit.
Po ashtu, ministri do të nxjerrë udhëzime detyruese për unifikimin e veprimtarisë së Policisë Bashkiake dhe për standardizimin e procedurave operacionale, administrative dhe etike, duke forcuar më tej kontrollin qendror mbi një strukturë që, të paktën financiarisht, mbetet në varësi të pushtetit vendor./WebLajm