
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për të vendosur në sekuestro kompanitë Micro Credit Albania dhe “Final”, të cilat akuzohen se kanë mashtruar qytetarët. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga gazetarja Anila Hoxha, aksioni për sekuestrot është zhvilluar sot. Policia e Krimit Ekonomiko Financiar është drejtuar drejt këtyre shoqërive dhe po bën iventarin e dosjeve dhe për të grumbulluar materiale që mund të kenë vlerë në hetimin e mëtejshëm të çështjes.
"Skemë mashtruese me mendim unik kriminal", në këtë përfundim ka dalë Prokuroria e Tiranës lidhur me dy prej kompanive që zhvatën qytetarët me kreditë e këqija që u jepnin. Si rrjedhojë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja janë vendosur nën sekuestro. MCA ka mbi vete vetëm veprën penale të "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”; por “Final" përveç të akuzës që ndan me MCA, akuzohet edhe për "pastrim të produkteve të veprës penale".
Si u zbulua skandali?
Prej disa muajsh tashmë, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në këto zyra. Këto institucioneve përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI