
TIRANË- Është mbajtur këtë të mërkurë seanca e radhës për çështjen Gërdeci në Gjykatën e Posaçme, ku ish-ministri Fatmir Mediu, kërkoi kryerjen e eksperimenteve hetimore, për të zbardhur shkaqet e shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve. Mediu tha se nuk mund të shkohet te e vërteta e kësaj ngjarje, pa ditur më parë shkakun e shpërthimit, ndërsa tha se akuza e ngritur ndaj tij për shpërdorim detyre nuk qëndron. Sipas Mediut, ai nuk ka pasur asnjë sinjalizim për probleme në fabrikën e armëve, që do të duhet të ishin komunikuar nga ushtarakët e linjës, pasi sipas tij ministri ka vetëm drejtimin e politikave, dhe jo monitorimin në terren të marrëveshjeve.
Ndërkohë që në seancën e stome, SHBA ka sjellë letërporosi, sipas se cilës kërkohet marrja në pyetje e 5 shtetasve amerikanë. Mediu kërkoi që kjo të bëhet përmes një videoconference, në mënyrë që të gjitha palët në proces të kenë akses mbi këto dëshmi.
"Ekspertët amerikanë dhe prokuroria vetë kanë thënë që shkaqet janë të panjohura. Ne e kemi bërë të qartë mendimin tonë, kemi kërkuar një diskutim aktiv me kompaninë SAC, do të ishte më mirë të komunikonim përmes videokonferencës, dhe jo letërporosive. Unë nuk mendoj që kodin e procedurës penale e ka bërë Fatmir Mediu, për këtë kam kërkuar që të zbatohet pjesa formale e aktit. Do të ishte në interesin e medias, për të mësuar atë që ka ndodhur. A është vetëm faji i asaj karroce për shpërthimin? Nuk mund të zbardhim të vërtetën mbi hipotezat.
Duhet të bëhen të gjitha aktet e ekspertimit. Akuza për mua nuk ka asnjë lidhje me karrocën e dorës, ministri i mbrojtjes nuk ka uniform ushtarake, që të përcaktojë rregullat se sim und të bëhet demontimi. Këto janë rregulla të shkruara, ministri ka kërkuar që të bëhet në baza të forta sigurie, dhe ka kërkuar të çohet aq municion, sa mund të demontohet brenda një dite. Nuk ka një informacion që të ketë ardhur te Ministri i Mbrojtjes që të ketë thënë se diçka nuk funksiononte në këtë fabrikë demontimi.
Ku do e gjente informacionin ministri nëse pjesët e tjera ushtarake nuk kanë vepruar. Kam vepruar bazuar informacioneve që më kanë sjellë ushtarakët. Të marrin qoftë ekspertë shqiptarë, qoftë të huaj, ata që beson më shumë gjykata se mund ta bëjnë këtë eksperiment”, u shpreh Mediu në përfundim të seancës në GJKKO.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë.
/ZËRI