Aktualitet

"Shëndetësia"/ Deputetët e PS kallëzojnë audituesin e KLSH: Refuzoi të dëshmonte në komision

Kallëzimi është bërë me pretendimin se Zeqiri ka refuzuar që të dëshmojë në Komision.

k.m.
"Shëndetësia"/ Deputetët e PS kallëzojnë
Bexhet Zeqiri

TIRANË- Deputetët e maxhorancës, anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar për koncensionet e Sterilizmit dhe Check-up kanë depozituar një kallëzim penal për audituesin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bexhet Zeqiri. Kallëzimi është bërë me pretendimin se Zeqiri ka refuzuar që të dëshmojë në Komision. Ndaj edhe kanë depozituar kallëzimin pranë Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, edhe pse ka marrë disa paralajmërime nga zv.kryetari i komisionit, Plarent Ndreca, nëpunësi Bexhet Zeqiri refuzoi përgjigjen. 

“Gjatë seancës së pyetjeve dhe konkretisht gjatë pyetjeve të realizuara nga ana e Zv/Kryetari i Komisionit, në shkelje të parashikimeve të Kodit të Proçedures Penale, Zeqiri refuzoi në mënyrë të perseritur që të dëshmojë, pavarësisht vënies në dijeni për detyrimin e tij ligjor për të dëshmuar dhe dhënë shpjegime për punën e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar. Nisur nga tërësia e fakteve dhe rethanave të cituara më sipër, vlerësojmë se ka të dhëna për fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit të kallëzuar z. Bexhet Zeqiri, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimit për të dëshmuar” parashikuar nga neni 307 i Kodit Penal. Kjo është hera e parë që një deshmitar i thirrur në Komisionin Hetimor, refuzon hapur t’i përgjigjet pyetjeve të bëra nga ana e Komisionit, duke shënuar një rast të rrezikshëm për autoritetin e veprimtarisë së një komisioni parlamentar dhe produktit të tij. Ky rast hap rrugën e refuzimit për të deklaruar nga deshmitari i thirrur nga ana e komisioneve hetimore, duke dëmtuar në thelb jo vetëm reputacionin e këtij instrumenti parlamentar, por duke krijuar premisa për të dështuar punën e komisionit në marrjen e një prove kaq të rendësishme, siç është dëshmia,”-shkruhet në shkresë.

Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB