
SHKODËR- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Theth, ku një turiste 31-vjeçare ka ndërruar jetë pasi ka rënë në greminë, teksa po bënte ecje me një grup turistësh të tjerë. Turistja, bashkë me një person tjetër, tentoi që te futej në vendin e quajtur "Shpella e Harapit" në Shalë, por ka rrëshqitur dhe ka rënë në greminë. Në vendin e ngjarjes po shkojnë shërbimet e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit nga gremina.
“Mesditën e sotme, salla operative e Komisariatit të Policisë Shkodër ka marrë njoftim nëpërmjet një telefonate se shtetasja gjermane R. P., 31 vjeçe, duke u ngjitur në mal, bashkë me një shtetas tjetër gjerman, në vendin e quajtur “Shpella e Harapit”, Shalë, Shkodër, kishte rrëshkitur dhe kishte rënë në greminë. Si pasojë e dëmtimeve, kjo shtetase ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë janë nisur në vendin e ngjarjes, bashkë me shërbime të specializuara, për të nxjerrë trupin e pajetë të kësaj shtetaseje, nga terreni i vështirë malor ku ka rënë,”-thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit./Zëri.ai