
TIRANË – Dëshmitarët e tragjedisë së Gërdecit vazhdojnë që të japin detaje, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur vite më 2008.
Një prej dëshmitareve, Drita Cani, ka shpjeguar sesi punohej në fabrikë. Ajo tregon se nuk kanë pasur kontrata pune.
“Në fabrikën e demontimit të armëve, kam nisur punë në qershor të vitit 2007. Kam punuar për 4-5 muaj. Ditën e shpërthimit nuk kam qenë në punë, sepse isha operuar. Ka qenë në punë vajza ime. Në atë fabrikë, kam punuar unë, djali dhe bashkëshorti. Nuk kemi pasur kontrata pune, por kishim një përgjegjës, që e kishte emrin Vangjel.
Ne na kishte punësuar një person që e kishte emrin Dritan. Municioni vinte me makina të ushtrisë. Unë dhe familjarët e mi merreshim me demontimin e predhave. Ne i shkarkonim nga kamionët, hapnim arkat, dhe më pas me mjete të ndryshme si sqepar e dalta, hiqnim diabolat dhe me çekiç, nxirrnim barutin. Pasi bëhej ndarja, predhat largoheshin me fadroma, ndërsa baruti futej me thasë e dërgohej në magazina. Mua më kanë thënë se flaka ka nisur nga magazina, ku mbahej baruti”, ka deklaruar dëshmitarja Drita Cani.
Drita Cani tha se puna ishte e rrezikshme, por besonte se shteti do e mbronte. Ajo shton se Fatmir Mediun nuk e ka parë asnjëherë dhe as ushtarakë në fabrikë nuk ka vërejtur ndonjëherë.
SPAK ka rihapur çështjen e Gërdecit, duke marrë të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Në shpërthimin e Gërdecit, ndërruan jetë 26 persona./Zëri.ai/