
TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka dalë me raport të bardhë nga auditi që kanë bërë pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Për shkeljet që janë trajtuar në "Zëri.ai", KLSH i kërkon Ministrit të Brendshëm, aktualisht Taulant Ballës që të shkarkojë menjëherë nga posti 5 persona, një prej tyre edhe kryeadministratorin, Adrian Koni. Ndërsa për të tjerë është kërkuar tërheqje vërejtje.
Motivacioni është i njëjtë për të gjithë.
PJESË NGA KËRKESA:
Mbështetur në nenin 15, të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, germat “b”, “c” dhe “ç”; bazuar në nenin 58 dhe 59 të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” të ndryshuar, si dhe në VKM nr. 115, datë 05.03.2014 “Për përcaktimin e procedurës disiplinore dhe të rregullave për krijimin, përbërjen e vendimmarrjen në komisionin disiplinor në shërbimin civil”, i rekomandojmë Ministrit të Brendshëm, që bazuar në shkeljet e konstatuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, të fillojë procedurat ligjore për dhënien e masave disiplinore si vijon:
a) “Largim nga shërbimi civil”
1. Z. A.K., me detyrë Kryeadministrator për:
-Mospërmbushje të rëndë të detyrave, pasi në drejtimin dhe organizimin e veprimtarisë së Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara nuk ka arritur të zbatojë detyrimet dhe kompetencat ligjore, e rezultuar kjo në mangësitë e theksuara në mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë që kryhet për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
E njëjtja masë ndëshkimore është kërkuar edhe për 4 kolegë të tjerë të tij, por nga ana e Ministrit të Brendshëm ende nuk ka asnjë reagim lidhur me rastin. Zëri.ai ishte dje në zyrën e zotit Konit lidhur me humbjen e 24 automjeteve të humbura, duke u shprehur se do ta ankimonte auditin e bërë nga KLSH./Zëri.ai