
ITALI- Tre të rinj ishin viktimë e një shpërthimit të fortë në një magazinë të jashtëligjshme fishekzjarrësh në Itali. Ngjarja e rëndë, që i mori jetën një 18-vjeçari shqiptar, Samuel Tafçiu dhe dy motrave binjake, Sara dhe Aurora Esposito, 26 vjeç, ndodhi pak ditë më parë në zonën e Napolit. Viktimat punonin në magazinë për vetëm 20 euro në ditë.
Sipas mediave të huaja, pronari i magazinës ia ka regjistruar pronën vajzës së tij 13-vjeçare. Pronari është marrë nën akuzë nga Prokuroria dhe ndaj tij është ngritur akuza për vrasje të shumëfishtë, fatkeqësi nga pakujdesia dhe posedim të paligjshëm të lëndës shpërthyese.
Por kush ishin viktimat?
Samueli jetonte në Ponticelli dhe sapo ishte bërë baba i një vajze 4 muajshe. Për të siguruar para për rritjen e të bijës, kishte nisur punë 3 muaj më parë si punëtor magazine. Samueli jetonte bashkë me partneren e tij në shtëpinë e vjehrrës së tij.
“Kush i thotë mbesës sime që nuk ka më baba. Në moshën 18-vjeçare nuk mund ta humbësh jetën kështu?! Brenda ishin dhëndri dhe dy vajzat. Na thirrën në orën 13 dhe gjithçka ishte në rregull. Në orën 15 na njoftuan se fabrika e vogël kishte shpërthyer. Dhëndri im la pas gruan 17-vjeçare dhe një fëmijë katër muajsh. Ai donte të mbante familjen, këtë punë e kishte gjetur përmes miqve. Samueli kishte tre muaj që punonte në magazinë, por nuk kishte marrë rrogë. Ai, vajza ime dhe vajza e vogël jetojnë me mua. Unë kam 4 fëmijë të tjerë, çfarë mund të bëj? Unë blej qumësht dhe pelena për fëmijën,”- tha mes lotësh Anna Campagna, vjehrra e 18-vjeçarit.
Ndërsa dy vajzat binjake ishin banore në Marigliano, të rritura pa baba. Edhe Aurora, ashtu si Samueli, ishte nënë e një vajze 5-vjeçare./ZËRI