
TIRANË- Rinovimi i banesave për t’i bërë ato më eficiente në harxhimin e energjisë elektrike do të ulë në perspektivë shpenzimet e familjeve për energji elektrike, sidomos shtresat e varfra.
Një studim i Bankës Botërore llogarit se Shqipëria duhet të investojë rreth 7,1 miliardë dollarë për kostot e rinovimit të banesave, për të kursyer energjinë, me një mesatare investimi 90 USD për metër katror.
Investimi i kësaj shume mund të gjenerohet nga burime të ndryshme financimi dhe do të ketë kthim të shpejtë, pohojnë ekspertët e Bankës Botërore, pasi do të kursehet konsumi i energjisë dhe do të ulen shpenzimet e familjeve të varfra.
Stoku i ndërtesave në 22 shtete të Rajonit të Europës Lindore dhe Azisë Qendror është i vjetruar, joefikas dhe i pamirëmbajtur. Shumica e ndërtesave u ndërtuan mbi 40 vite më parë, kur standardet efikasitet të energjisë nuk ishin miratuar ende.
Banesat pa eficiencë energjie krijojnë ekspozim të lartë të familjeve ndaj lëndëve djegëse të importuara me çmime të larta. Familjet me të ardhura të ulëta priren të jetojnë në shtëpi të vjetra, të paizoluara me dritare dhe dyer të dobëta dhe kanë nevojë për më shumë ngrohje. Rreth 34% e banorëve në rajonin ECA shpenzojnë 10% ose më shumë të buxhetit mujor për faturat e energjisë, një prag tipik për varfërinë energjetike. Fatura mujore e energjisë për ngrohjen në shtëpitë pa efikasitet energjie shkon mesatarisht 208,4 dollarë amerikanë (2,501,3 dollarë amerikanë në vit) llogarit Banka Botërore.

Në një shtëpi të rinovuar për eficencën e energjisë, kosto vjetore e faturave të energjisë do të ishte 461 dollarë në vit (shtëpi me izolim dhe panele diellore).
Duke qenë se familjet me të ardhura më të ulëta nuk mund t’i përballojnë investime të thjeshta me efikasitet energjie ose sisteme ngrohjeje më efikase, ato ngarkohen me fatura të larta mujore energjisë dhe nga ana tjetër kanë cilësi të ulët ngrohje.
Për të përmbushur objektivat ambicioze të BE-së për energjinë dhe klimën, do të jetë i nevojshëm një transformim i plotë i sektorit të energjisë.
Kjo përfshin sektorët e ngrohjes dhe ftohjes, të cilët përbëjnë rreth 50 për qind të kërkesës për energji, nga të cilat dy të tretat janë të bazuara mbi lëndët djegëse fosile. Gazi është karburanti mbizotërues, i ndjekur nga qymyri. Biomasa përbën rreth 12% të përdorimit të ngrohjes.
Qeveritë në vendet të Europës ofrojnë subvencioneve ndaj individëve që investojnë në eficiencën e banesave.
Veç kësaj vendet po investojë në teknologji inovative të ngrohjes dh bizneset në këto aktivitete kanë shumë lehtësi fiskale./Monitor