
TIRANË- Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti ka raportuar këtë të hënë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku prezantoi raportin vjetor të ERE. Gjatë fjalës së tij, ai u ndal dhe tek ngjarja e paprecedentë e regjistruar më 22 Qershor ku Shqipëria ra në një “black out”, total dhe energjia elektrike u stakua në të gjithë vendin. Ndërkohë, e njëjta situatë u regjistrua dhe në tre vende të rajonit (Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnje Hercegovina). Sipas Ahmetit, ende nuk dihet se çfarë realisht ndodhi, dhe përgjigjja mund të merret vetëm pas hetimeve të plota.
Petrit Ahmeti: Është një situatë e vështirë në të gjithë rajonin. Defektet në linjat 400 kilovolt nuk para ndodhin dhe duan një analizë serioze. Ne presim analizën e këtij fenomeni, nuk është se ndodhi vetëm tek ne por edhe në fqinjët tanë. Ka qenë një defekt që ka ndodhur përpara me Malin e Zi dhe më pas me Greqinë. Aktualisht institucionet janë duke analizuar fenomenin sepse ende nuk dihet se pse ndodhi. Ju garantoj se nuk mund të jetë një problem i brendshëm që ndikon linjat e vendit. Presim raportin e ekspertëve të BE për këtë defekt. Ne sot morëm një informacion që brenda një kohe të shkurtër u vendos në punë sistemi shqiptar. Analiza do të na vë në dispozicion edhe arsyen se përse ndodhi kjo fikje e energjisë. Është ccështje sensitive, prandaj duhet të presim e analizës.
Më 22 Qershor në të gjithë vendin energjia elektrike u shkëput për 30 minuta duke shkaktuar panik tek qytetarët. Mbetet ende e paqartë se çfarë ndodhi saktësisht, pasi hetimet sapo kanë nisur. Paraprakisht u raportua se problemi është regjistruar fillimisht në Greqi dhe Malin e Zi. Ndërkohë nga autoritetet shqiptare u tha fillimisht se rrjeti ra për shkak të temperaturave të larta./ZËRI