
TIRANË-Energjia elektrike është ndërprerë mesditën e sotme në 4 vende të rajonit të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Probleme me ndërprerjen e energjisë elektrike, kanë pasur Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje- Herzegovina. Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) ka reaguar pas incidentit të ndodhur dhe njofton se po mbledh të gjitha të dhënat teknike për këtë incident nga OST-të e prekura dhe se do ta kryejë një hetim në javët në vijim me ndihmën e një grupi ekspertësh.
‘Më 21 qershor 2024 rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe një ndërprerje të pjesshme në Kroaci. OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes tek konsumatorët. ENTSO-E aktualisht është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike relevante për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur. Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh.’- njofton ENTSO.
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka sqaruar se defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar në të gjithë vendin. /ZËRI