
GREQI- Për të dytën ditë në Gjykatën e Apelit Penal të Selanikut ka vijuar gjyqi për vdekjen e 21-vjeçares Ema. Burime nga mediat greke kanë siguruar dëshminë e nënës së 21-vjeçares së ndjerë, e cila ka kërkuar dënim maksimal për autorin.
"Në duar mbante një armë vdekjeprurëse, ishte i paligjshëm nga koka te këmbët. Godasim një kafshë dhe na vjen keq, ky njeri vrau një vajzë, një motër, një mbesë dhe thjeshtë iku nga vendi i ngjarjes”,- tha nëna e viktimës, duke iu referuar 27-vjeçarit shqiptar.
Ajo shtoi se makina kishte pësuar modifikime dhe shtonte kuajfuqinë, dhe nga ana tjetër se shoferi nuk kishte patentë. Po ashtu nëna e Emës ka thënë se shqiptari ndodhej në Greqi në mënyrë ilegale dhe ishte pa dokumentacionet përkatëse. Ndërkohë dëshmitarët okularë kanë deklaruar se kanë parë një “shpejtësi marramendëse”, me të cilën lëvizte mjeti dhe një “zhurmë të frikshme”.
Kujtojmë se vdekja e Emës ndodhi në orët e para të 22 nëntorit 2022 në Selanik, kur ajo u përplas nga një makinë dhe shoferi 27-vjeçar e braktisi.