
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përgënjeshtruar Partinë Demokratike. Në një deklaratë për mediat, nga selia e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi deklaroi se kishte mësuar nga burime informale se ndaj gjyqtares Ilirjana Olldashi ka pasur kërcënime për çështjen e Erion Veliajt. Sipas tij, ndaj gjyqtares, e cila do të shqyrtojë në Apel pretendimet e kryebashkiakut të Tiranës, kanë nisur mesazhet, si joshëse ashtu edhe kërcënuese.
Deklarata e Këlliçit:
Ne dënojmë me forcë tërheqjen e policisë së shtetit para turmës së pushtetit, duke e lënë perimetrin e sigurisë të institucionit të drejtësisë në dorën e patronazhistëve dhe killerave online dhe offline të kreut të 5D Veliaj dhe narko kryeministrit Rama. Prania e djeshme paramilitare e mercenarëve të Veliajt, frymëzuar edhe nga gjuha e mbushur me urrejtje e kërcënime e Edi Ramës, nuk ishte provë force dhe intimidimi vetëm ndaj prokurorit Dado, që doli mbi barrikadën e frikës, por edhe mbi gjyqtaren e Apelit Ilirjana Olldashi. Burimet tona informale na vënë në dijeni se ndaj gjyqtares Olldashi kanë filluar mesazhet, si joshëse ashtu edhe kërcënuese, për të favorizuar Erion Veliajn dhe grupin e tij kriminal dhe për të anashkaluar ligjin, siç është bërë shumë herë për megaaferat e këtij të fundit, përfshi Inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe aferën kriminale 5D. Partia Demokratike u bën thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndershëm që të rezistojnë dhe të japin kontributin e tyre në vendosjen e një drejtësie që nuk sheh majtas apo djathtas, por vetëm zemrën dhe thelbin e ligjit. Kjo sipas tij, ka ndodhur edhe për mega-afera si Inceneratori fantazmë i Tiranës dhe afera kriminale 5D.
Por këto pretendime u hodhën poshtë nga vetë Gjykata. Sipas GJKKO-së, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.
"Me synimin e përgënjeshtrimit të informacionit të pasaktë, të publikuar në datën 13.02.2025 dhe të cituar në media të ndryshme edhe më datë 14.02.2025, të cilat dëmtojnë imazhin e paanësisë dhe drejtësisë së gjyqtarit, dhe, në rastet më të rënda, të vetë funksionit gjyqësor, Shërbimi për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bën me dije publikun dhe median se, në asnjë rast nuk ka patur dhe nuk ka ndërhyrje ose ushtrim të ndikimit të papërshtatshëm lidhur me funksionin e gjyqtares së kësaj Gjykate, magjistrate Iliriana Olldashi. Njoftimi i mësipërm përcillet në dijeninë e publikut dhe medias në garantim të ruajtjes dhe forcimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë si dhe, në përputhje me parimet e korrektesës, vetëpërmbajtjes dhe maturisë së gjyqtarit, të përcaktuara në pikën 5, të nenit 3, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”,"-bën me dije GJKKO.
Ilirjana Olldashi është gjyqtarja e hetimeve paraprake në Apelin e Posaçëm sa i takon dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Kjo e fundit ka shqyrtuar edhe më herët kërkesat e bëra nga bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa dhe vëllai i tij, Arbër Veliaj. Ndaj edhe çështjen e prangosjes së Veliajt, në Apel do ta shqyrtojë e njëjta gjyqtare./ZËRI