
TIRANË-Plani për krijimin e një shteti sovran të “Urdhrit Bektashi” ka ngjallur reagimin e disa shoqatave fetare dhe shoqërisë civile. Një grup shoqatash islame si Mexhlis, TUMED, Thirrja në Mirësi, Unioni Shqiptar i Teologeve dhe Palestina e Lirë po protestojnë sot para Komunitetit Musliman nën sloganin “Jo në emrin tim”. Në protestë pjesëmarrja është e vogël ndërsa vihet re dhe prezencë e policisë.
Në lidhje me projektin Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shprehet se është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri dhe se në këtë kontekst shpreh shqetësimin për deklaratat publike ku flitet për “Islamin modern”, “Islamin shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës. Ndër të tjera Komiteti Mysliman se nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit dhe sa i përket planit nuk është konsultuar me komunitetet fetare.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për 'The New York Times' thotë se dëshiron t'u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. Kreu i qeverisë shprehet se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi. Në një reagim zyrtar, Selia Botërore e Bektashinjve shprehet se ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisë, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore. Selia Botërore e Bektashinjve shton gjithashtu se kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen dhe se nuk kërkojnë që të kenë ndikim apo pushtet politik./ZËRI