
TIRANË- Gjykata e Posaçme vendosi shtyrjen e gjyqit për Laert Haxhiun, i akuzuar për dy vrasje, pasi avokati mbrojtës nuk u paraqit në seancë. Seanca e radhës u caktua për datën 17 Nëntor në orën 11:00. Në seancën e sotme, pritej të dëshmonte qytetari i fundit i thirrur nga SPAK, një banor nga Lushnja, i identifikuar si Arsen Xhuti. Pas tij, do të jetë radha e dëshmitarëve që janë listuar nga mbrojtja e Haxhiut.
Por sot, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi 2 avokatë të tjerë kryesisht për Laert Haxhiun, pasi u revokua avokatja e caktuar më herët nga shteti (kryesisht), Pranvera Doçi. Doçi tha se për shkak të një fatkeqësie familjare, nuk mund ta ndiqte procesin si dhe për shkak të dosjes voluminoze. Ajo i tregoi gjykatës se nuk mund të jetë pjesë e mbrojtjes së Haxhiut për shkak të konfliktit të interesit, pasi më herët ka mbrojtur kryesisht Orgest Bilbilin.
Avokatët e caktuar nga shteti do të jenë Artan Simoni dhe Edvis Gorishti.
Gjithashtu gjatë seancës së sotme, Detar Hysit (avokati me prokurë të posaçme nga familjarët e Laert Haxhiut), iu rrëzua kërkesa për dorëheqje nga mbrojtja, ndërsa mosparaqitja e tij këtë të mërkurë në seancë, u shoqërua me ndëshkimin administrativ prej 5 mijë lekësh të reja.
Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi pasi u kap disa muaj më parë në Janinë. Haxhiu akuzohet për vrasjen e mbetur në tentativë të Xhulio Shkurtit, dhe vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës të kryera në qytetin e Lushnjës, në tetor të vitit 2017. GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të shpallur fajtor për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut, në Lushnje në 2017. Ndërkohë Laert Haxhiu po hetohet edhe në një dosje të re nga SPAK, pas dëshmisë së Artan Tafanit. 31-vjeçari akuzohet nga Prokuroria e Elbasanit, si ideator dhe autor i 6 vrasjeve të bujshme, të cilat janë ato të: Çajup Selimi, Alban Semaku, Albi Bashaliu, Lulzim Qorri, Fridmand Xhaferraj, Dikens Halili. Laert Haxhiu që nga viti 2017 deri në 23 maj të këtij viti, konsiderohej si një nga pesë më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare./Zëri.ai