
TIRANË- Shtyhet seanca për dosjen "Metamorfoza". Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e Pëllumb Gjokës, i cili nuk u paraqit sot në seancë për shkak të problemeve shëndetësore. Kjo pasi vetëm pak ditë më parë, biznesmeni theu këmbën teksa po merrej me aktivitet fizik brenda qelisë së burgut, e menjëherë shkoi për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale në një spital privat. Por po ashtu, sipas avokatit të tij mbrojtës, Gjoka ka shfaqur edhe probleme me zemrën.
Në seancën e sotme kërkoi që të ishte prezent edhe një avokat italian, por nuk u lejua që të futej për shkak se ishte thjesht një seancë paraprake. Në parashtrimin e bërë, avokati italian pretendoi se kishte ardhur për të monitoruar procesin, pasi një studio në Itali dhe një tjetër në Britaninë e Madhe po përgatiteshin që ta dërgonin dosjen në Gjykatën e Strasburgut.
Nga korriku i vitit 2023, Pëllumb Gjoka ndodhet në paraburgim, i akuzuar për disa vepra të rënda penale. Ai u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ky i fundit u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin "Sky ECC", ndërsa bashkë me të në pranga përfnduan policë, prorkurorë dhe ish-prokurorë. Deri në marrjen e një vendimi nga GJKKO për dosjen, biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri, ish-efektivi Adrit Hasanbegaj, Edmond Preka (shofer i biznesmenit Gjoka) do të qëndrojnë në qeli, derisa të përfundojnë hetimet./ZËRI