
TIRANË- Policia e Shtetit ka reaguar pas një denoncimi të bërë nga deputeti i opozitës Lefter Gështenja, se në Rinas nuk punonte sistemi TIMS. Deputeti i Partisë Demokratike kishe bërë denoncim në rrjetet e tij sociale, duke aluduar se kjo bëhej me qëllim për të kaluar persona të lidhur me krimin.
Mirëpo në reagimin e policisë së shtetit thuhet se sistemi TIMS, funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
NJOFTIMI I POLICISË:
Lajmi i publikuar në rrjetet sociale, se në Rinas ka rënë sistemi TIMS dhe është krijuar kaos, është i pavërtetë.
Sistemi TIMS funksionon normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në asnjë pikë kalimi nuk është evidentuar asnjë problematikë, përveç fluksit të shtuar të turistëve dhe vizitorëve që hyjnë në vendin tonë.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për t’iu ofruar shërbim sa më cilësor të gjithë qytetarëve në hyrje dhe dalje, në pikat e kalimit kufitar, si dhe ka rritur vigjilencën për kapjen e shtetasve në kërkim, parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Lajme të tilla të pavërteta të cilat krijojnë pakënaqësi dhe cenojnë imazhin e punës së Policisë, duhet të konfirmohen nga autoritetet policore.
DENONCIMI I GËSHTENJËS
Skandal! Bie Sistemi TIMS, kaos në Aeroportin "Nënë Tereza", hyrje daljet e qytetarëve shënohen në " bllok". Kjo është situata në këto momente, 31.03.2024!
Sistemi TIMS është një sistem që përdoret për hyrje-daljet, është sistemi që ti je në kufi, jep pasaportën dhe dikush e fut në sistem ku nga ai moment del se ti ke hyrë apo dalë nga Shqipëria.
Në momentin që Sistemi TIMS nuk funksion, policia dhe institucionet e tjera nuk kanë asnjë mundësi që të kenë informcaion se kush hyri apo kush doli në kufi. Vallë të jetë kjo arsyeja e rënies së sistemit?
Presim ndonjë status të qeverisë: është hakeruar sistemi apo duhet të kalonte ndonjë mik i qeverisë?
/ZËRI