Aktualitet

Fasoneria 'skllavëruese' në Tiranë/ Inspektoriati i Punës për ZËRI-n: Po e monitorojmë

Më tej, Inspektoriati Shtetëror i Punës bën me dije se pas inspektimit të kryer pranë fasonerisë “Sinless Confuzioni”, e cila administrohet nga shtetasi italian Francesco Peluso, janë konstatuar katër shkelje.

Edon Kuqi
Fasoneria 'skllavëruese' në Tiranë/ Inspektoriati i
Ekonomisti i fasonerisë dhe shkresa e ilustruar e Inspektoriatit Shtetër të Punës

TIRANË- Inspektoriati Shtetëror i Punës i është përgjigjur këtë të martë kërkesës për informacion të kërkuar nga ZËRI sa i përket rastit të denoncuar në redaksinë tonë, nga punonjësit e firmës “Sinless Confuzioni”, të cilat kishin dy muaj pa marrë pagat dhe mbi gjashtë muaj pa siguracione. Në kthimin e përgjigjes, Inspektoriati Shtetëror i Punës, bën me dije se pretendimet e zonjave të fasonerisë, të ngritura në redaksinë e ZËRI-t qëndrojnë dhe se pas verifikimeve të kryera pas vënies në dijeni nga ana jonë ka rezultuar se siguracionet shëndetësore dhe shoqërore ishin të papaguara.

“Përsa i përket pretendimit të punëmarrësëve pranë redaksisë tuaj, në lidhje me pagesën e kontributeve të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, që nga muaji tetor 2023, ky pretendim qëndronte dhe është konstatuar si shkelje dhe lënë për detyrë për zbatim nga ana e institucionit tonë. Punëdhësi shprehet për paaftësi paguese për shlyerjen e këtyre detyrimeve”, thuhet në kthimin e përgjigjes të Inspektoriatit Shtetëror të Punës.

Më tej, Inspektoriati Shtetëror i Punës bën me dije se pas inspektimit të kryer pranë fasonerisë “Sinless Confuzioni”, e cila administrohet nga shtetasi italian Francesco Peluso, janë konstatuar katër shkelje.

1.       Ligji 7961, datë 12.07.1995 “Kodii Punës”, i ndryshuar në Republikën e Shqipërisë, neni 21, Pika 1, ku thuhet se “Kontrata e punës duhet të lidhet në formë të shkruar”.

2.       Ligji 9136, datë 11.09.2003, ku kompanitë janë të detyruara të deklarojnë punënonjësit që në momentin e parë që merren në punë. (Në këtë rast “Sinless Confuzioni”, nuk e ka zbatuar.

3.       Ligji 9136, datë 11.09.2003, ku kompania është e detyruar që të paguajë detyrimet shëndetësore dhe shoqërore të punëdhënësit, në kohën dhe masën e duhur.

4.       Ligji 7961, datë 12.07.1995, ku punëdhënësi është i detyruar që të lajmërojë dy javë deri në 2 muaj para shkëputjes së marrëdhënies së punës, punëmarrësin, që dhe në këtë rast nuk është respektuar nga kompania italiane “Sinless Confuzioni”.

Në vijim të përgjigjes së tij, Inspektoriati Shtetëror i Punës, sqaron se do të ndjekë nga afër rastin në fjalë, ndërsa shton se pas marrëveshjes së arritur mes punëmarrëseve dhe shtetasit italian, me ndërmjetësimin e ZËRI-t se paga e prapambetur e muajit shkurt do të kalojë me 15 prill 2024, ndërsa e Marsit më datë 15 maj 2024, Inspektirati i Punës sqaron se do të ndërhyë sërish pas kësaj date për të verifikuar nëse është zbatuar akti notarial, i nënshkruar më datë 27 Mars 2024 mes Francesco Pelusos dhe punonjëseve, pranë noterit Dritan Gjana në Tiranë. Ndërkohë, Inpektoriatri Shtetëror i Punës, pranon që është vënë në dijeni nga një punonjëse e “Sinless Confuzioni”, që më datë 9 shkurt të vitit 2024 se ishte hequr me pa të drejtë nga puna.

ZËRI mësyu në ambientet e fasonerisë “Sinless Confuzioni”, në Tiranë më datë 15 mars të këtij viti pas denoncimit të zonjave që punonin në fasoneri, të cilat thanë për ZËRI-n se kishin që në muajin tetor që në iu paguheshin detyrimet shoqërore dhe shëndetësore nga ana e sipërmarrësit italian Francesco Peluso. Po ashtu zonjat deklaruan se kishin prej dy muajsh që nuk merrnin pagat.

Pas pretendimeve të zonjave, ZËRI u fut në ambientet e fasonerisë, brenda së cilës gjeti vetëm ekonomistin, i cili nuk pranoi të identifikohet. Ky i fundit deklaroi se gjendja financiare e kompanisë është e vështirë, ndërsa fillimisht tentoi ta pasojë “topin” e fajit tek punonjëset, të cilat sipas tij nuk punonin, por u tërhoq shpejt. Më pas ai lajmëroi Policinë e Shtetit, me pretendimin se ekipi i ZËRI-t kishte shkelur ligjin duke hyrë në ambientet e fasonerisë, por pas mbërritjes së efektivëve dhe konstatimit se ZËRI kishte qenë korrekt gjatë gjithë raportimit, Policia u largua.

Në fund, sipërmarrësi italian Francesco Peluso ra dakort që të nënshkruajë një akt notarial me punonjëset, ku zotohej se do të kryente pagesat e prapambetura brenda datave, 15 Prill 2024 dhe 15 Maj 2024. ZËRI do e ndjekë nga afër të gjithë procesin, MISIONI VAZHDON…!/ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB