Aktualitet

Skandali me Shkollën e Magjistraturës përfundon në SPAK, Prokuroria e Posaçme e kalon tek Prokuroria e Tiranës

Dosja nuk ka "fjetur" gjatë në SPAK, pasi hetuesit e posaçëm kanë vendosur që ta përcjellin për moskompetencë.

k.m.
Skandali me Shkollën e Magjistraturës përfundon në SPAK,
Foto ilustruese

TIRANË- Një kallëzim është dorëzuar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për skandalin me provimet në Shkollën e Magjistraturës. Por dosja nuk ka "fjetur" gjatë në SPAK, pasi hetuesit e posaçëm kanë vendosur që ta përcjellin për moskompetencë. Me këtë çështje tashmë do të merret Prokuroria e Tiranës, e cila do të hetojë të gjithë procecin e deritanishëm. Deri më tani nuk dihet se kur dhe nga kush është bërë kallëzimi, por mësohet se ka kaluar tek Prokuroria e Tiranës më 2 maj. 

“Pas verifikimeve të kryera në Prokurorinë e Posaçme është depozituar kallëzimi penal i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion kundër shtetasit Arben Rakipi, me detyrë Drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Pas kryerjes së verifikimeve në lidhje me këtë kallëzim penal është vendosur të dërgohet për kompetencë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 02.05.2024,”- thuhet nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun pranë SPAK, sipas gazetares Anila Hoxha.

Çfarë ndodhi me listën e fituesve?

Një problem i pajisjes "Scantron", bëri që 52 kandidatë t'i shtoheshin listës së fituesëve të fazës së parë të Shkollës së Magjistraturës. Rivlerësimi i tezave u bë pasi gabimisht pajisja "Scantron" kishte llogaritur pikët maksimale 96 dhe jo 100 dhe kjo kishte sjellë ankimin e kandidatëve që nuk ishin shpallur fitues. Çështja që bëri bujë pak ditë më parë ka ngjallur hije dyshimi në të gjithë procesin, madje në Komisionin e Ligjeve u kërkua edhe një dëgjesë me drejtorin e kësaj shkollë, Arben Rakipin. Ky i fundit i ka dhënë njëherë shpjegimet e tij, duke pretenduar se e gjitha është një gabim teknik dhe me 0 ndikim njerëzor./ZËRI

Poll

MOS HUMB