Aktualitet

Skandali te Onkologjiku/ Të mërkurën, mjekët do njihen me masat në GJKKO, SPAK po u heton pasurinë

Prokuroria e Posaçme, paralelisht ka kërkuar informacion nga bankat dhe hipotekat për pasuritë dhe astetet e mjekëve që janë nën hetim. 

k.m.
Skandali te Onkologjiku/ Të mërkurën, mjekët do njihen me
Foto ilustruese

TIRANË- Mjekët e spitalit Onkologjik do të dalin të mërkurën para trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në seancën që do të mbahet pas 2 ditësh, mjekët do të njihen me masat e reja të sigurisë. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme, paralelisht ka kërkuar informacion nga bankat dhe hipotekat për pasuritë dhe astetet e mjekëve që janë nën hetim. 

Në SPAK, dosja është marrë në dorëzim nga hetuesi Elvin Gokaj, i cili ka dhënë urdhër që të hetohen edhe disa farmaci që dyshohet se kanë kryer kontrabandë ilaçesh. Megjithatë deri më tani nuk dihet se për cilat farmaci bëhet fjalë. Disa prej tyre kanë dalë edhe në hetimin e Prokurorisë së Tiranës, por ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë. Të gjithë të akuzuarit janë personel mjekësor, e po ashtu, mungojnë drejtuesit e tyre. Por me urdhër të prokurorit Gokaj, brenda 10 ditëve do të rishikohen edhe masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës.

Aktualisht vetëm mjeku Edmond Gashi, Halil Gashi dhe farmacisti Florian Marku u lanë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, ndërkohë, mjekja Alketa Pere, zv.drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi dhe koordinatori Emiljano Lela, u lanë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Mjekët e punësuar në spitalin shtetëror "Nënë Tereza", kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin. Në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit, është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar. Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore. Aktualisht, me urdhër të Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mjekët dhe koordinatori i spitalit të Onkologjikut janë pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve./ZËRI

Poll

MOS HUMB