
TIRANË- Gazeta greke “Documento”, e gazetarit të njohur investigativ Kostas Vaxevanis, ka nxjerrë detaje të tjera nga dosja e "SkyECC" që po hetohet në Greqi. Në dosje, u zbuluan disa grupe kriminale që kishin lidhje me njëra-tjetrën dhe trafikonin drogë nga Shqipëria dhe nga Spanja. Sipas "TopChannel", në këtë dosje përmendet edhe 27-vjeçari i vrarë me tritol në Tiranë, Aleksandër Sadikaj.
Efektivët grekë i kanë gjetur kodin që i riu ka pasur në “Encrochat” dhe në aplikacionin e koduar, "SkyECC". Në njërin përdorte nofkën “loneeagle” dhe në “Sky ECC” futej me PIN “BSPN6M”. Në shtetin fqinjë, Sadikaj njihej edhe me mbiemrin Kalemi dhe ishte drejtues i një grupi kriminal që merrej me trafikun e marijuanës nga Spanja e Shqipëria për në Greqi.
Në dosje është zbardhur edhe një episod trafiku droge, të shoqëruar me një transfertë 400 mijë euro, ku rezulton i përfshirë 36-vjecari nga Kroça, Denis Grabocka. Ngarkesa ishte në Itali, por më 5 maj 2020, në orën 20:30, në portin e Civitavecchias shumë pak larg Romës u kap një shtetas grek. I arrestuari, i identifikuar me inicialet U.P., ishte drejtuesi i një kamioni me targa bullgare në pronësi të kompanisë bullgare 'Zion Trans'.
Në kamion kishte 144 kilogramë marijuanë e fshehur e detergjentë dhe paleta veshjes. Pak para se të kapej, shoferi kishte qenë në kontakt me “milanmilan”, një llogari e paidentifikuar e aplikacionit “Encrochat”. Ky person kishte marrë ngarkesën nga diku në Barcelonë me urdhër dhe për llogari të Denis Grabockës.
“Milanmilan” dyshohet se ka pasur rolin e ndërlidhësit për llogari të grupit në Spanjë dhe gjente "mallin" që do të trafikohej përmes Italisë në Greqi. Për 144 kg kanabis, "milanmilan" ka marrë 400 mijë euro, por jo me bankë. Edhe në këtë rast del në pah përdorja e sistemit "Hawala". Urdhërin e Grabockës e ka zbatuar një tjetër anëtar i grupit kriminal. Ky i fundit, përdor kodin “ultrarhino” në Encrochat. Sipas asaj që është zbuluar në dosje, para se të nisjes ngarkesa, ky person ka bërë vizita të përsëritura në një dyqan në Aharnon. Një javë pas kapjes së ngarkesës në portin italian, ai ka shkuar dhe ka dorëzuar 60 mijë euro të tjera, të cilat kanë mbërritur të nesërmen në Madrid, sërish përmes sistemit “Hawala”./ZËRI