Aktualitet

'SKYndal'/ Hetimi për policët, si mund të bëhet nga Ardi Veliu?

Në një nga bisedat e zhvilluara në ‘SKYECC’, biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili tashmë është pas hekurave, pretendon se ka komunikuar me vetë Ardi Veliun dhe me ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.

F.m
'SKYndal'/ Hetimi për policët, si mund të bëhet
Ardi Veliu

TIRANË- Aksesi në ‘SKYECC’, aplikacioni që ka krijuar urat mes grupeve kriminale do të bëhet shkak për ‘prerjen e kokave’ në radhët e Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm Taulant Balla dha mesazhin një ditë më parë se shumë shpejt do të nisë ‘fshesën’ për të nxjerrë jashtë Policisë së Shtetit të gjithë të inkriminuarit dhe bashkëpunëtorët me personazhet e botës së krimit.

“Për çdo punonjës të policisë së shtetit që do të rezultojë se do të ketë pasur akses në Encrochat apo SKY, do të përjashtohet nga Policia e Shtetit, edhe nëse në ato komunikime nuk rezulton të ketë asnjë aktivitet kriminal,”- tha ai prerë, duke shtuar se ka kërkuar informacione nga Europoli, por edhe nga drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku e kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu.

Sipas Ministrit të Brendshëm, thjesht fakti që një person që ka zgjedhur të veshë një uniformë për mbrojtjen e rendit është pjesë e këtyre rrjeteve, tregon se ka thyer Kodin Etik të Policisë së Shtetit dhe shfaq mungesë respekti ndaj taksapaguesve shqiptarë.

Por, si mund të hetojë një person që është përmendur vetë në këto rrjete?

E kemi fjalën për Ardi Veliun!

Transkriptimet e dosjes ‘Metamorfoza’ që u zbardhën nga autoritetet franceze e që dërguan pas hekurave biznesmenë e zyrtarë, nxorrën zbuluar dhe lidhjet e Veliut me anëtarë të grupeve kriminale. Konkretisht, në një nga bisedat e zhvilluara në ‘SKYECC’, biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili tashmë është pas hekurave, pretendon se ka komunikuar me vetë Ardi Veliun dhe me ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.

Kjo gjë konfirmohet nga biseda që Oltion Bistri bën me Gjokën, ku duket qartë që ish-shefi i Operacionales që ndodhet aktualisht pas hekurave, ishte kthyer në syrin e veshin e biznesmenit dhe e lajmëronte për çdo kontroll apo vendime të marra në takime e mbledhje të ndryshme. Bistri gjithashtu kishte hyrë “mik” tek Rebani Jaupaj, drejtor i Policisë së Tiranës në kohën që është zhvilluar biseda, dhe tek Ardi Veliu.

BISEDAT MES BISTRIT DHE GJOKËS:

Oltion Bistri i shkruan Pëllumb Gjokës: O vlla keq puna me këto. Me thirrën lart, se mbajmë dot pikën aty. A tju q**sh roptë këtyre. Se di. Më duket se është interesuar Lleshi vetë por mos fol me asnjë. Lidhje shoqërore e jotja etj. Sigurohu që s`të ndjek njeri dhe eja lart te fshati SOS Pallati i Brigadave te hoteli i Gaz Brahjas. Ka frikë Rebaniu se i paskan thënë për këtë rastin dhe është tremb”, apo “ik fli tani apo ke punëtorë brenda? Kush është klienti më i fortë? I ke marrë ndonjë Tajvanit? Ty të duhen me lek, jo ata që s’i lënë andej. Ata që s’i lënë janë të mbaruar. Prit një herë të mbarojë aksioni. Unë e bëra për ty këtë se s’më ngrenë ato 1500 euro që marr. Se veç për ty e lashë. Është muhabet vk. Edhe për anë morale më tepër. Se vetëm stres. Vetëm këto sa bëjnë t’i lutem Rebos aman. Ai lekët do marri dhe kot i merr. Se di pse ka frikë. S’do as Ardi se i thashë. Bile dhe për këtë më çau k…n. I thashë e le punën e s’e heq se i kam dhënë llafin.

Oltion Bistri i shkruan Pëllumb Gjokës: Tani do fillojë për pak, ik futu gjëkundi se s’i dihet, mos rri në qarkullim dhe fike telefonin. Po kot mos s’i dihet. S’e di. Akoma s’na i kanë sjellë emrat dhe vendet. Dr tha do e heq pikën nga lista. Jo e din Rebua vete s`ka nevojë!

Më datë 20.01.2020 ora 20.32, Pëllumb Gjoka, duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DB7ED1 i identifikuar si Oltian Bistri.

Oltion Bistri: Ka qenë qetësi kaq kohë. Sot nga 7, pati nja dy tel, ka kazino, ruletë etj. Por s`ka problem se i thashë çunave, e bënë sikur erdhën dhe nuk konstatuan gjë.

Këto biseda mjaftojnë për të ngritur pyetjen: Si mundet Veliu të hetojë efektivët kur është vetë pjesë e bisedave kur kolegu i tij, Olt Bistri e bën personazh të pazareve të bëra nën dorë për të favorizuar biznesmenë e jo vetëm? 

A do jetë drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i pari i sakrifikuar i procesit për të treguar se vendimi i Ballës nuk ka dy standarte, apo Veliu do t’ja hedhë paq njësoj siç ka ndodhur edhe në ngjarjet e mëparshme ku është përfshirë?

Edhe më herët, Balla ka vënë në dyshim postin e mbajtur prej tij duke konstatuar se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kapur ‘keqbërës të vegjël’, duke kërkuar një hap tjetër. Megjithatë, nuk ia ka dalë që t’ia prishë qetësinë Veliut.

Ardi Veliu ka kaluar tre ministra të brendshëm, të cilët janë shkarkuar e dorëhequr njëri pas tjetrit, pas çdo ngjarjeje të bujshme, por ai vetë nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi mbi supe. Ç’do të ndodhë tani?/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB